Shqipëria do të jetë pjesë e Marrëveshjeve Artemis, nismës ndërkombëtare të udhëhequr nga NASA për bashkëpunimin në eksplorimin e Hënës, Marsit dhe hapësirës më gjerë.

Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet më 21 shtator, në selinë e NASA-s në Uashington, ku Shqipëria pritet të bëhet vendi i 73-të që i bashkohet kësaj marrëveshjeje.

Në ceremoni do të marrë pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati, si dhe zyrtarë amerikanë.

Marrëveshjet Artemis vendosin një sërë parimesh për eksplorimin paqësor, të sigurt dhe të qëndrueshëm të hapësirës.

ANGAZHIMET E VENDEVE NËNSHKRUESE

Qëllime paqësore – Aktivitetet hapësinore të zhvillohen për qëllime paqësore.

Transparencë  – Publikimi i politikave dhe planeve kombëtare për hapësirën.

Përshtatshmëri e sistemeve  – Përdorimi dhe zhvillimi i standardeve që lejojnë sistemet hapësinore të funksionojnë së bashku.

Ndihmë në emergjenca  – Asistencë për astronautët që ndodhen në rrezik ose vështirësi.

Regjistrimi i objekteve hapësinore  – Koordinim për regjistrimin e objekteve të përdorura në aktivitetet e përbashkëta.

Të dhënat shkencore  – Ndarje e hapur dhe në kohë e të dhënave dhe rezultateve shkencore.

Trashëgimia hapësinore  – Mbrojtja e vendeve dhe objekteve me rëndësi historike.

Burimet hapësinore  – Nxjerrja dhe përdorimi i burimeve nga Hëna, Marsi dhe asteroidët, në përputhje me Traktatin për Hapësirën e Jashtme.

Shmangia e konflikteve – Koordinim dhe njoftim për aktivitetet për të shmangur ndërhyrjet e dëmshme.

Zona sigurie – Përcaktim i zonave të përkohshme rreth operacioneve hapësinore, me madhësi dhe kohëzgjatje sipas nevojave të misionit.

Vendet pjesëmarrëse do të angazhohen për transparencë në politikat dhe aktivitetet hapësinore, bashkëpunim shkencor dhe ndarjen e të dhënave.

Marrëveshja parashikon gjithashtu ndihmë për astronautët në raste emergjencash, regjistrimin e objekteve hapësinore,  ruajtjen e trashëgimisë hapësinore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Një tjetër element janë mekanizmat për shmangien e ndërhyrjeve mes aktiviteteve hapësinore, përfshirë të ashtuquajturat zona sigurie, të cilat do të jenë të përkohshme dhe të përshtatura me operacionet konkrete.

Klan News

/tvklan.al