Godinat kanë pësuar dëmtime të shumta nga tërmeti

Shtyhet sërish nisja e procesit mësimor për Universitetin e Mjekësisë dhe atë Politeknik në Tiranë.

Tërmeti i 26 Nëntorit ka shkaktuar dëme edhe në godinat e universiteteve në vend. Universiteti i Mjekësisë dhe ai i Politeknikut në Tiranë nuk do të nisin procesin mësimor në 9 Dhjetor, por në 13 Dhjetor. Godinat e këtyre universiteteve kanë pësuar dëme të lehta, por sipas drejtuesve të tyre ato duhet të verifikohen nga Instituti i Ndërtimit.

Në shkresën e firmosur nga rektori Arben Gjata kërkohet që Instituti i Ndërtimit të kryejë kontrollet dhe më pas certfikimin e godinës. Më shumë dëmtime kanë pësuar departamenti i Anatomisë, farmacisë dhe Fakulteti i Stomatologjisë.

Në njoftimin e Universitetit Politeknik thuhet se vendimi për shtyrjen e procesit mësimor u mor pasi rektorati shqyrtoi raportin teknik të vlerësimit të dëmtimeve në ndërtesa hartuar nga grupi i ekspertëve të ngritur me Urdhrin e Përbashkët të Rektorit dhe Administratorit.

Ndërprerja e procesit mësimor për 5 ditë i jep kohë institucionit për kryerjen e riparimeve të nevojshme për të mundësuar zhvillimin normal të procesit mësimor.

Tv Klan