Kjo është periudha më e bukur e vitit ku ditët festive janë prezente. E në këto ditë të gjitha gratë dhe vajzat mendojnë se si të duken më bukur që t’i shtojnë mbrëmjeve të festave të fundvitit edhe më shumë ngjyra. Dilemat shtohen para një feste teksa mendojmë për zgjedhjet që duhet të bëjmë.

Por për të folur për veshjen, këpucët dhe grimin që duhet të zgjedhim ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, sipërmarrëset Drilona Boci dhe Esmeralda Zoto dhe make up artisti, Olti Shulla.

Gjatë emisionit të ftuarit dhanë idetë e tyre lidhur me veshjen dhe grimin gjatë festave të fundvitit.

“Këpucët janë përditshmëri, përveç festave është edhe përditshmëria. Këpucët këtë vit na kthejnë në vitet 70-të, në stilin kavalino, pitone. Në përditshmëri ndiqet moda në komoditetin e ngjyrave. Megjithatë këpuca mbetet e vështirë në kombinim dhe në komoditet. Për festa unë do të sugjeroja për zonjat një takë 7 cm, mesatare, me të cilën mund të shijosh mbrëmjen. Në një target moshe tjetër do të sugjeroja taka më të larta, deri në 10 apo 15 cm të cilat mund t’i veshin ata që ndihen komode. Kur stafeta e takave u kalua nga meshkujt tek femrat, pjesa e aristokracisë vishte gjithnjë takën mbi 10 cm që tregonte lartësinë si nga ana materiale dhe atë në veshje. Nëse veshim një fustan të kuq shkojnë me të këpucët e zeza, nude, por pse jo mund të luajmë edhe me ngjyrat”,

tha Zoto.

“Aktualisht kanë filluar kërkesat dhe ka shumë fluks për të bërë zgjedhje në këto ditë festash. Çfarë kërkon njëra, nuk kërkon tjetra, por ne po mundohemi t’i edukojmë me gjëra të veçanta duke luajtur me detajet dhe të mos jemi standardë, vetëm tek e kuqja. Nisur nga tendencat e fundit, që priret nga stili i viteve 80-të me veshje me krahët e fryra dhe xhaketat stil fustan, ne sugjerojmë të qëndrojmë tek vetvetja. Lidhur me ngjyrat sugjerohet e kuqja që është tradicionale, jeshilja, e zeza për të qenë gjithmonë “in”, ngjyra silver po ashtu dhe e verdha është një nga ngjyrat që ne e sugjerojmë këtë vit për festa. Të gjitha modelet janë të pranueshme, sepse çdo njeri ka imperfeksionet e veta në trup”,

tha Boçi.

“Përsa i përket modelit të flokëve mendoj se duhet nisur nga veshja. Por patjetër që ne e modifikojmë dhe e modelojmë edhe nëse dikush nuk ka vendosur për veshjen. Mund të bëjmë një model standard të flokut duke u nisur në bazë të këndeve të fytyrës. Mendoj se flokët festive janë kur bëhen shumë me forma. Edhe zonjat që i rregullojnë flokët në shtëpi, mund t’i bëjnë me onde dhe më pas me një krëhër mund t’i krehin. Flokët e mbledhur po ashtu duken bukur për festë, por nuk i shkojnë të gjithave. Nëse veshim një fustan të mbyllur, atëherë toleranca për t’i mbledhur flokët është më e madhe. Flokët e lëshuara i shkojnë kujtdo. Përsa i përket grimit, sytë duhet të lyhen lehtë dhe buzët të ndezura. Nëse zgjedhim një veshje të kuqe, buzët mund t’i bëjmë nude ose të kuqe”

, tha Shulla.

/tvklan.al