Brenda një muaji nisin aplikimet, 70% shkojnë për blegtorinë

Covid-19 dha ndikim edhe tek shtyrja e aplikimeve për skemat mbështetëse në bujqësi. Kështu nga marsi që ishin parashikuar, aplikimet pritet të kryhen brenda një muaji, njofton Ministria e Bujqësisë.

Bëhët fjalë në total për 743,9 milionë lekë fonde për bujqësinë për këtë vit dhe pritet të  përfitojnë afro katër mijë fermerë.

Teksa ishte në Balldren të Lezhës, ku vizitoi një nga komplekset më të mëdha blegtorale në rajon, që mbarështon rreth 400 lopë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi tha se këtë vit pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për të mbështetur blegtorinë.

“Rreth 70% të këtyre parave do t’ia kushtojmë blegtorisë si sektori më delikat dhe me më tepër probleme. Sivjet ne do të paguajmë vetëm për tufën bazë, për çdo krerë të matrikulluar. Paratë do të shkojnë direkt tek fermeri”, u shpreh ministri Çuçi.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, veç mbështetjes për sektorin e blegtorisë, fonde do të shkojnë edhe për  subvencionimin e çmimit të plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Për mënyrën e aplikimit dhe dokumentet që duhen, fermerët do të njoftohen nepërmjet fushatave të informimit që do të zhvillojë  Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural.

Klan Plus