Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi një leksion të hapur me temë “Besimi publik në drejtësi: Reforma 2016, çfarë u arrit dhe çfarë kërkon faza e dytë”, me të ftuar Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë.
“Që të flasësh për besimin në drejtësi duhet të nisësh nga tre kolona kryesore, që lidhen me pavarësinë, lidhen me përgjegjshmërinë, lidhen me integritetin. Mjafton të çalojë njëra prej tyre që ne të kemi një drejtësi jo të besueshme”, u shpreh Sadushi.
Nga ana tjetër kreu i Gjykatës së Lartë tha se reforma në drejtësi ka garantuar pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Politika e ka pak të vështirë sot dhe ju e shikoni faktin që ka një përballje midis politikës dhe drejtësisë, është ndoshta dhe tregues i vlerës së reformës në drejtësi. Por sot, kemi një sistem ku gjyqtari dhe prokurori janë të pavarur në formatin arkitekturor të Kushtetutës dhe të ligjeve”, tha kreu i Gjykatës së Lartë.
Gjatë diskutimit, Sadushi renditi disa nga problematikat kryesore me të cilat përballet sot sistemi i drejtësisë, si nga infrasturktura e pamjatueshme gjyqësore dhe numri i kufizuar i gjyqtarëve.
“Të gjitha këto ndikojnë që sot çështjet të kenë një fluks të jashtëzakonshëm. Gjykatën e Apelit e kemi me numër nën mesatar, pra e kemi nën 50% dhe duke pasur nën 50%, ndërkohë që të gjitha çështjet shkojnë në Gjykatën e Apelit, ne sot e kemi situatën në Gjykatën e Apelit kritike”, tha Sadushi.
Leksioni i mbajtur në universitetin Mesdhetar u shoqërua me pyetje dhe diskutime nga studentë dhe pedagogë, me fokus te ndikimi real i reformës në praktikën gjyqësore dhe perspektiva e integrimit evropian të Shqipërisë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 