Raportim Live

Mbyllet Kuvendi

Kuvendi ka mbyllur punimet për ditën e sotme 2 prill, pas debateve të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike ka braktisur sallën pas dy orësh diskutime, duke pretenduar se është zeruar roli i PD-së në parlament.

PS kaloi në votim projektligjet e ditës, vetëm me votat e mazhorancës.

Bardhi jashtë Kuvendit: Po zerohet roli i opozitës në Kuvend

Opozita është larguar nga salla, në momentin që me kërkesë nga ana e Partisë Socialiste u kalua për votim pas 2 orëve debat të ashpër.

Bardhi deklaroi se fakti që Taulant Balla ka propozuar që të mbahet një minutë heshtjeje nga ana e parlamentit për të vrarët më 2 prill, ishte një provokim ndaj PD-së. Ai hodhi akuza, duke u shprehur se po minimizohet roli i opozitës në Kuvend.

download app

Seanca – Live

Teksa mazhoranca po voton projektligjet, opozita ka braktisur sallën e Kuvendit.

Pas kërkesës së Partisë Socialiste për mbylljen e diskutimeve, është kaluar direkt në votim, ndërkohë opozitarët vijojnë me kundërshtitë e tyre… Seanca sipas PD, po kalon në anomali.

“Kape për zhelesh e nxirre përjashtë”/ Jozefina Topalli rikthen shprehjen e saj “tipike”

Pas një përplasjeje midis socialistes Bora Muzhaqi dhe demokrates Albana Vokshi, pak më vonë pati edhe ndërhyrje të Jozefina Topallit, për t’i dalë në mbrojtje koleges së saj.

Por, Topalli në fjalën e saj riktheu edhe shprehjen “ikonike”.

“Kryetari i Kuvendit ka një rregullore që nuk ka vetëm një nen që dënon vetëm deputetët e opozitës. Ju keni të gjitha pushtetet. Ju keni të gjitha institucionet e pavarura, bankat, i keni të gjitha. Jeni të gjithë investitorë strategjikë. Është e mira që të mbash në rregull, nëse mund të quhet Parlament, që për mua e ka humbur misionin e tij. Nuk është normale dhe nuk ka ndodhur kurrë që një nënë e dy fëmijëve, fëmijë të cilët janë kërcënuar nga bandat gjatë fushatës elektorale, të fyhet në këtë mënyrë vulgare, saqë as në shpellat e mafias nuk përdoren, sepse edhe ato kanë një kod. Nuk ka ndodhur kurrë në Parlamentin e Shqipërisë që një mami tjetër e re me dy fëmijë të vegjël të kërcënohet gjatë seancës plenare e t’i thuhet që do të tregoj unë ty.

Nuk ka ndodhur kurrë që deputeti të provokojë mbi dhimbjen e vrasjes së katër dëshmorëve të demokracisë. Nuk ka ndodhur kurrë që të provokosh dhimbjen jo vetëm të katër familjeve, por të një qyteti dhe të një shoqërie e të një gjëje që është vendosur në bazën e një sistemi që ne do ta përdornim, mbi të metat e të mirat, në tre dekadat e ardhshme. Por, kur një burrë provokon mbi të vdekurit dhe merret vetëm me gratë, ka vetëm një shprehje për të. Merre zoti kryetar. Kape për zhelesh e nxirre përjashtë”, tha ajo.

Nuk ka qetësi për demokratin Flamur Noka! U çua sërish nga vendi duke i thënë kryeparlamentarit Niko Peleshi se i “përmendi emrin” dhe duke kërkuar të merrte fjalën. “Unë ta përmenda emrin?! Mos e ngatërron me mesazhin”, i tha Peleshi duke qeshur. Më tej, njoftoi 5 minuta pushim, ndërsa ftoi kryetarët e grupeve për konsultim.

Plas mes Muzhaqit dhe Vokshit

“Lajeni gojën me sapun e shampo kur flisni për dinjitetin tim! O zot, o perëndi”, u shpreh Muzhaqi, ndërsa iu drejtua kundërshtares politike, Albana Vokshi, duke i thënë se “si ia thotë ato fjalë të rënda, kur ka vajzë në shtëpi”.

Kaq mjaftoi, që Vokshi të shpërthente në tone të ashpra.

“Mos e përmend ti gocën time, mbylle gojën! Fëmijët e mi mos i përmend po të them! Ti, ti, ti! Dëgjove apo jo? Mbylle gojën, hesht! Mos i përmend fëmijët e mi në këtë grup të qelbur!“, tha Vokshi.

“A keni motra e gra?!”, Vokshi për Ballën: Të përjashtohet 2 muaj!

Deputetët e opozitës vijojnë me kërkesën e tyre për përjashtimin urgjent të Taulant Ballës, me pretendimin se ai ka fyer rëndë gratë deputete.

“Ore a keni motra juve, a keni gra juve? A e do e pranoni gjuhën e këtij sharlatani në këtë Parlament?! Si more ajo karrige është më e rëndësishme se dinjiteti? A ju vjen turp që bëheni të gjithë pas atij të paburri?! 2 muaj ai nuk duhet të shkelë këtu, të përjashtohet mënjeherë!”, tha deputetja Albana Vokshi.

Balla bëri me dije po ashtu se deputetja Elda Hoti që i ka marrë kartën socialistes Bora Muzhaqi do të përballet me pasojat, sipas rregullores së Kuvendit. Ndërkohë, deputeti Klevis Balliu pretendon se Balla e ka kërcënuar Hotin, duke i thënë “ta tregoj unë ty”.