Opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike protestoi para Kryeministrisë. Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Rama për keqqeverisje dhe tha se qëllimi i revolucionit është përmbysja e monizmit. Protesta nisi në orën 12:00 dhe përfundoi rreth orës 13:55.

Opozita kërkon largimin e qeverisë, Berisha: Revolucioni nuk mposhtet nga asgjë

Për afro dy orë, opozita protestoi paqësisht në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit” duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.

Ndonëse ky tubim përkonte me vendimin e Gjykatës së Apelit për të ardhmen e Partisë Demokratike, Sali Berisha e bëri të qartë se qëllimi ishte kryeministri.

“Ai kërkon të asgjesojë Partinë Demokratike. Mendon dhe beson se do ta përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama do të të përjashtojmë nga Shqipëria. Ne jemi këtu, sa të jetë toka. Çka vjen prej Zotit mirë se ardhtë.”

Akuzat ndaj tij i vijoi jo vetëm për çështjen McGonigal dhe atë të inceneratorëve, por edhe për shpopullimin e vendit.

“Është plaçkitësi më i madh në historinë e vendit. Shqiptarë, në 8 vite u pakësuan me rreth 1 milionë banorë. Me këto ritme Edi Rama synon që pas 16 vitesh të ketë ndërtesa bosh, të ketë kampe refugjatësh, çerdhe trafikantësh, por jo shqiptarë të vërtetë”.

Nuk hezitoi ta cilësojë si armikun më të egër të vendit duke i kujtuar se për të nuk ka kthim pas nga revolucioni i nisur me shqiptarët.

“Ne jemi këtu për t’u betuar se revolucioni ynë do ta fshijë nga faqja e dheut, cilindo që guxon të luajë me pluralizmin në Shqipëri, me lirinë e shqiptarëve”, tha ai.

Në këtë mision kërkoi bashkimin e shqiptarëve pavarësisht bindjeve politike si dhe të zhgënjyerve nga klasa politike në këto tre dekada.

“Historia na mëson se sa herë që shqiptarët janë bashkuar, kanë bërë mrekullitë e tyre. Le të bëjmë dhe ne, mrekullinë tonë. Të shndërrojmë vitin 2023në vitin e mrekullisë shqiptare”.

Me fjalën e Berishës u mbyll edhe protesta e opozitës, por nga selia blu i pyetur për vendimin e Gjykatës së Apelit, Berisha u tregua i kujdesshëm në komentet e tij.

“Nuk kam ndërmend të bëj asnjë diskutim paraprak për gjykatën. Këto i kemi me Ramën dhe aty ishim për Ramën e jo për gjykatën”.

Ndonëse Sali Berisha nuk foli për një datë për protestën e radhës ai tha se revolucioni i nisur me qytetarët nuk do ndalet deri në përmbushjen e misionit të tij.

Tv Klan

Ora 14:00 – Mbyllet protesta e PD, Sali Berisha: Tejkaloi çdo parashikim

Rreth 2 orë zgjati protesta e Partisë Demokratike dhe partive të tjera aleate opozitare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në përfundim të tubimit, tha nga oborri i selisë blu se protesta tejkaloi çdo parashikim.

E jashtëzakonshme, në të gjitha kushtet kjo protestë tejkaloi çdo parashikim timin. Protesta tejkaloi çdo parashikim dhe njëherë një mirënjohje shumë të thellë për të gjithë ata dhjetra mijëra qytetarë që lanë çdo gjë dhe e mbushën në orën 12:00 bulevardin si kurrë ndonjëherë në të njëjtën orë në historinë e këtij vendi, misionarë të jashtëzakonshëm”, u shpreh kryedemokrati.

Sa i përket gjyqi për vulën e PD-së, Berisha tha: “Nuk kam ndërmend të bëj asnjë diskutim paraprak për gjykatën”.

Ora 13:52Boçi: Protesta e opozitës ia arriti qëllimit

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në një intervistë për Klan News me gazetaren Klesiana Omeri, është shprehur se protesta e opozitës që është zhvilluar ditën e sotme ia ka arritur qëllimin dhe ka përmbushur pritshmëritë e demokratëve.

Luçiano Boçi: Ju e patë nga entuziazmi i njerëzve dhe tani në takimet e fundit që po bëjmë dhe në atë që ishte në Bulevard, unë them se ia arriti qëllimit. Jemi në stinë protestash, zgjedhore. Do të ecim me zgjedhje dhe protesta.

Po ashtu, Luçiano Boçi është shprehur edhe në lidhje me fatin e logos dhe vulës së PD-së në Gjykatën e Apelit, seancë që ka nisur që prej orës 11:00.

Luçiano Boçi: Vazhdon seanca gjyqësore, vendimi mund të dalë pas një orë ose 2-3 orësh. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë duhet të ishte e regjistruar.

Boçi u shpreh se do të vazhdojnë protestat, të cilat ka thënë që do të shtrihen në të gjithë vendin.

Luçiano Boçi: Protesta quhet e përfunduar dhe e thashë që ka lënë të hapur dhe vazhdimin e protestave të formave të ndryshme. Do të vazhdojnë protestat në të gjithë vendin.

Ora 13:50 – Berisha thirrje qytetarëve: Mos jini indiferentë, varfëria është nëna e të këqijave që ka sjellë Rama

Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve mosbesues ndaj partive politike që të mos jenë indiferentë.

Gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare të Partisë Demokratike, Berisha e konsideroi indiferencën si “gjënë më vrastare”.

Berisha pati një thirrje edhe për punonjësit e administratës.

Revolucioni nuk është i Sali Berishës, është i çdo shqiptari që e do Shqipërinë. Një thirrje vëllazërore do u drejtoj sot të gjithë atyre që i shohin forcat politike me mosbesim, që janë të dëshpëruar, që janë të zhgënjyer dhe vazhdojnë rrugën në vetminë e tyre.

Unë u them se keni shumë arsye për të qenë të dëshpëruar dhe zhgënjyer, por kurrë nuk mund të keni arsye për të qenë indiferentë. Nuk ka gjë më vrastare për të ardhmen se indiferenca! E keqja nuk kërkon gjë tjetër për të triumfuar veç indiferencës së njerëzve të mirë si ju.

Një thirrje u bëj të gjithë punonjësve të administratës shtetërore, mos harroni se në ligj dhe moral, ju nuk jeni badigardë as shërbëtorë të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama, por jeni shërbëtorë të qytetarëve.

Sot ju përjetoni një terror dixhital dhe të gjithanshëm. Bashkohuni me ne në këtë revolucion të përmbysim këtë organizatë kriminale. Të shpëtojmë Shqipërinë prej saj. Revolucioni ynë ka për qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë. Ne e konsiderojmë varfërinë nënën e të këqijave që ka sjellë Edi Rama.

Varfëria luftohet duke dyfishuar rrogat, pensionet, duke përgjysmuar taksat, duke përgjysmuar çmimin e energjisë. Varfëria luftohet duke investuar në infrastrukturë për ju, shkolla, spitale, duke krijuar pra kushtet që ju meritoni. Varfëria luftohet duke luftuar krimin e organizuar, korrupsionin me zero tolerancë. Ne do dalim fitimtarë nga kjo betejë”, tha ndër të tjera Sali Berisha. 

Ora 13: 45 – Berisha: Rama mendon se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Ne do ta përjashtojmë atë nga Shqipëria

Kryedemokrati Sali Berisha nga protesta e opozitës ka hedhur akuza ndaj Kryeministrit Rama për largimin e shqiptarëve nga vendi.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka deklaruar se Kryeministri Rama mendon se do i përjashtojë nga zgjedhjet, por sipas Berishës, opozita do ta përjashtojë atë nga Shqipëria.

Kryedemokrati Berisha i ka bërë thirrje çdo të riu që të bashkohen në atë që ai e quan revolucion.

Sali Berisha: Nuk është vjedhja e parave problemi më i madh i këtij hajduti të papërmbajtur. Vjedhja e të ardhmes tonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite, 35 për qind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Në 8 vite, secili prej nesh kemi humbur një të tretën e të dashurve tanë në dhera të tjera. Me këto ritme, Shqipëria shkon drejt shuarjes dhe zhdukjes. Dhe ky mendon se do jetojë diku në Karaibe apo në ishujt e nxehtë të Oqeanit Indian. Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve. Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni. Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria! Ne jemi këtu sa është toka. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të shqiptarëve. Ndaj, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje çdo të riu: bashkohuni me këtë revolucion. Revolucionet i bëjnë të rinjtë, idealet e të rinjve, guximi i të rinjve, i bën ata të pathyeshëm para asgjëje. Luftoni për veten, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj.

Ora 13:33 – Berisha: Qëllimi i revolucionit, të përmbysim monizmin e bazuar në krim, drogë dhe vjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se qëllimi i revolucionit të opozitës është përmbysja e monizmit të bazuar në krim, drogë dhe vjedhje. E për këto, Berisha akuzon Kryeministrin Edi Rama.

Në fjalën e tij në protestën kombëtare të PD përpara Kryeministrisë, Sali Berisha akuzoi Ramën se synon të shpopullojë Shqipërinë.

“Së pari, një përshëndetje të përzemërt, një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju sot në këtë protestë madhështore, që keni lënë çdo gjë dhe keni ardhur nga të katër anët e Tiranës dhe Shqipërisë, në një protestë të revolucionit tonë demokratik paqësor.

Në një protestë, me të cilën ne jemi të vendosur t’i shkurtojmë orët dhe ditët, muajt, kësaj qeverie antishqiptare, me në krye Edi Ramën, i cili faktohet para shqiptarëve dhe botës, si pushtuesi më i egër i këtij vendi, si Çubrilloviçi i vërtetë i këtij vendi. Edi Rama është armik i qenies suaj, është plaçkitësi më i madh në historinë e vendit, është armik i miqve tanë në SHBA dhe Europë.

Në rast se ju kujtohet, vite më parë, rekrutonte sikur të ishte siamez me Lukashenkon, kryezbuluesin e SHBA. Një vit më parë, zhduku nga faqja e dheut në Shqipëri, flamurin e NATO-s, që përbën sot aleancën më kryesore të paqes dhe sigurisë në botë. Shqipëria e etërve të tij barbarë është modeli i tij. Shqiptarët, në 8 vite, u pakësuan me rreth 1 milionë banorë. Me këto ritme, Edi Rama synon që këtu të ketë ndërtesa bosh, kampe refugjatësh, por jo shqiptarë të vërtetë.

Ne jemi këtu për t’i thënë atij që ky revolucion nuk mposhtet nga asgjë. Këta burra dhe gra që sheh këtu, njësoj si në vitet 90, janë misionarë të pamposhtur. Edhe atëherë, të paktë ishin ata që besonin te misioni i studentëve. Edhe sot, ka plot që nuk besojnë në misionin tonë. Por marshi i studentëve përmbysi diktaturën dhe çliroi shqiptarët. Marshi juaj do përmbysë monizmin e bazuar në krimin, drogën dhe plaçkitjen. Sot, secili prej jush është në një mision të madh për veten, fëmijët, kombin e tij. Një mision që do u japë shqiptarëve, Shqipërinë e shekullit të 21-të.

Vështirësitë janë të mëdha, por këtë mision e përmbushin studentët, që punojnë paradite në shkollë dhe pasdite nxjerrin disa të ardhura. Në darkë punojnë për të shkruar parullat e kësaj proteste. Këtë mision e përmbushin të rinjtë, demokratë, por edhe socialistë të penduar, të cilët nga koha e tyre, dalin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë thirrjet dhe fletëpalosjet e këtij revolucioni.

Këtë mision e përmbushin nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, që kanë përcjellë me lot fëmijët e tyre jashtë, por janë sot këtu me ne, deri në fund, në emër të tyre, në emër të Shqipërisë.

Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve.

Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale”, u shpreh Sali Berisha.  

Ora 13:14Meta nga protesta e opozitës: Protesta dhe zgjedhje për rrëzimin e këtij regjimi

Nga protesta e opozitës, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se rruga e opozitës janë protestat dhe zgjedhjet.

Kryetari i PL-së, Meta ka akuzuar kryeministrin Rama se sipas tij, kërkon që të marrë logon dhe vulën e PD-së teksa ka shtuar se Kryeministri Rama është në panikun e presioneve.

Meta ka deklaruar i bindur se në 14 Maj do të jenë përsëri në këtë shesh për të festuar fitoren e Belind Këlliçit në Tiranë dhe fitoren në rrethet e Shqipërisë.

Ilir Meta: Mbi të gjitha keni sfiduar regjimin më të urryer në kontinent, më të korruptuar në kontinent, regjimin që është lider vetëm për shpopullimin e vendit që ia ka kaluar edhe Bjellorusisë së Lukashenkos përsa i takon mungesës së investimeve. Jemi sot këtu në vazhdim të angazhimit tonë të pathyeshëm për ta rrëzuar këtë regjim me zgjedhje dhe protesta. Një regjim i tmerruar nga vota e lirë.

Një i marrë i tmerruar nga fjala e lirë, nga firmat që ka hedhur për të plackitur miliarda Euro, për të shkatërruar me IKMT-në e tij mbi gjysmën e akteve dhe vendimeve që ai institucion ka marrë në dëm të interesit publik dhe të pronave të ligjshme. Është tronditur në themel siguria juridike, parim themelor i kushtetuës. Këtij të marrit nuk i mjafton që e shndërroi PS në një bandë plaçkitëse me deputetë që janë vetëm kartona dhe nuk kanë bindje politike, asnjë shqetësim për të ardhmen e këtij vendi.

Tani kërkon të marrë edhe vulën e PD-së. Ky njeri me probleme të mëdha mendore, politike, sot është në panikun e presioneve nga më mafiozet që ushtrohen nga të gjithë ata, mbështetjen e të cilëve kërkoi për të kapur shtetin. Sot është më i mjerë se asnjëherë sepse nuk ka më asnjë justifikim se kush ja ka fajin për këtë shkatërrim që i bëri shteti dhe shoqërisë tonë e shumë familjeve shqiptare me plagët më të rënda. Pse i duhet këtij të asgjësojë pluralizmin politik dhe PD-në? Që të vjedhë akoma më shumë dhe të mos japë llogari. Të gjithë të vazhdojmë në rrugën tonë. Protesta dhe zgjedhje. Në 14 Maj do të jemi të gjithë këtu për të festuar fitoren e Belind Këlliçit e kudo në Shqipëri.

Ora 13:07 – Noka: Rama, flamurin e PD-së nuk e merr kurrë. Nuk ka gjykatë në botë që shkel mbi verdiktin e njerëzve të lirë

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka nga protesta kombëtare e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i është drejtuar qytetarëve duke ju thënë se kjo protestë kulmon me qëndrimin e tyre të palëkundur.

Deputeti demokrat, Noka ka akuzuar Edi Ramën se sipas tij ai po ushtron mbi shqiptarët genocide, sa nuk ka ushtruar kurrë asnjë pushtues në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Noka ka thënë se qeveria “ka një monstër në pushtet që e ka emrin Edi Rama”, teksa ka shtuar se “kostumi i tij i preferuar ka në xhep rryshfetin, krimin dhe drogën, ka edhe gjyqësorin”.

Noka është shprehur se Kryeministri Rama ka bërë dhe po bën gjithçka për të mbajtur peng simbolin e Partisë Demokratike teksa ka thënë se nuk ka gjykatë në botë që mund të shkelë mbi verdiktin e njerëzve të lirë.

Flamur Noka: Rama ka bërë dhe po bën gjithçka për të mbajtur peng simbolin e PD-së. Edi Rama e urren PD-në, i urren demokratët, e urren forcën që shembi regjimin e egër të etërve të tij. Flamurin e PD-së nuk e merr dhe nuk do e marrësh dot kurrë, maksimumi do të japim shtizën sepse atë e meriton. Nuk ka gjykatë në botë që mund të shkelë mbi verdiktin e njerëzve të lirë. Rama, lidhjet që mban me krimin të kanë mbajtur gjatë në atë karrige.

Ora 12:40 – Aulon Kalaja: Çdo pushtet që shkel ligjin, nuk quhet qeveri, por mafie

Aulon Kalaja: Nuk do t’a kisha besuar që do mblidheshim këtu, ku na është vendosur në pikëpyetje ekzintenca jonë. Motra dhe vëllezër, demoracia e atdheut është në rrezik. E faji është edhe i joni. Heshtëm kur duhej bërtitur. Ulëm sytë, kur koka duhej ngritur. Nuk u cuam, kur duhej kryengritje. Qeverisemi nga dikush që është i palidhur dhe i pakushtëzuar nga ligji. Nga dikush me parime bizantine dhe ajo që i pëlqen këtij, ka fuqinë e ligjit. Çdo pushtet buron prej Kryeministrit. Por agjenda e tij ka avancuar. Grabitja është tejkaluar. Ai është hedhur në ekspansion për të vrarë demokracinë. Demokraci pa institucione të pavarura nuk ka. Kjo quhet diktaturë. Çdo pushtet që shkel ligjin, nuk quhet qeveri, por MAFIA. Ju lëmsh nëpërkash që sundoni këtë vend prej dekade, e që asgjë nuk ju lidh me patriotizmin! Të jesh patriot për një gjerman, do të thotë të mos e vjedhësh Gjermaninë. Prandaj qytetarët pyesin: “A jeni hajdut ju zoti Kryeministër?! A jeni ju, një korruptues i madh?!”

Sipas teje, demokracia është 2 ujqwr dhe 1 qingj që votojnë se çfarë do hanë për darkë. Sigurisht, 2 ujqwrit jeni ju dhe Soros. Ndërsa qingji, jemi ne. Jo, demokracia është dicka që ne e kemi ndërtuar dhe nuk do e lëmë pas dore, sepse e dimë që ti e shkatërron. Demokracia është një çështje e dinjitetit njerëzor. Demokracia është pushteti i një populli të informuar. Këta mendojnë se ne nuk kemi ideale për të sakrifikuar. Jo. Jo dhe jo. Gaboheni rëndë. Ne jemi në këmbë. Sepse sovraniteti buron nga qytetarët dhe i takon qytetarëve. Mjerimi nuk është mungesa e ushqimit, por mungesa e demokracisë.

Prandaj le të mos bëhemi popull i mjerë. Sepse demokracia nuk është një sport për spektatorë, por qytetarë aktiv dhe të interesuar për fatet e tyre. Kryeministër ju nuk mund të qeverisni me parimin “bukë dhe cirk”. Na keni lidhur duart dhe këmbët, na keni lidhur sytë, por harroni se Luani nuk mund të bëhët kurban. Froni, është vendi i tij. Na keni mbyllur në kafaz dhe po bëni prestigjatorin, por harroni se Ujkun nuk e kanë futur kurrë në cirk. Ai është i lirë. Përherë do jetë kështu. Po largoni të rinjtë dhe na keni prerë krahët, por harroni se ne jemi bijtë Shqipes. Kemi lindur për të fluturuar lart. Po vjen dita pë tu kthyer në fole. Në Shqipërinë tonë. Historia do tregojë për një piktor që u bë Kryeministër. Për një Kryeministër që u shndërrua në përbindesh, por nuk e mundi dot popullin e vet. Përballë do na kesh!

Belind Këlliçi: Çdo ditë që protestohet është një lajm i mirë

Ora 12:35 – Berisha i bashkohet protestës së PD-së para Kryeministrisë

Ora 12:26 –  Sali Berisha del nga selia e PD, niset drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

Ora 12:25 – Harxhi për Klan News: Rezistenca e PD-së do të vazhdojë

Edit Harxhi për Klan News: Protesta nuk do të thotë që rezultati do të jetë konkret, mesazhi është rezistencë. Të bësh 10 protesta kombëtare me këtë lloj pjesëmarrje, është e pabesueshme që në ditë të premte, ora 12:00 të vijnë njerëzit nga rrethe dhe Tirana të jetë në shesh. Kjo rezistencë do të vazhdojë. Gjyqi është i rëndësishëm, ky vendim do të jetë ai që do të përcaktojë aksionin tonë. Me apo pa vulë, kjo është PD-ja e vërtetë, ky është populli opozitar.

Ora 12: 20 – Protestuesit krijojnë në mënyrë simbolike kryeministrin Rama dhe ish-zyrtarin e FBI-së McGonigal

Përveç banderolës “Mjaft është mjaft” dhe flamujve të shumtë të Shqipërisë dhe të PD-së, protestuesit kanë krijuar në mënyrë simbolike Kryeministrin Rama dhe McGonigal me rroba karakteristike burgu.

Disa nga mesazhet e protestës janë në gjuhë të huaj me qëllimin për ta përcjellë synimin e saj edhe jashtë vendit.

Ora 12:09 – Protestuesit para selisë së PD-së nisen drejt Bulevardit

Protestuesit e mbledhur para selisë së PD-së janë nisur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Të rinjtë e FRPD-së me banderolën “Mjaft është mjaft” bashkë me simpatizantë demokratë kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.

Situata deri në këto momente paraqitet e qetë.

Ora 12:07 Të rinjtë e FRPD-së mbajnë në duar banderolën “Mjaft është mjaft”

Ora 12:00 – Protestuesit mbërrijnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aty ku pritet të zhvillohet protesta e thirrur nga opozita ditën e sotme, ka nisur të popullohet.

Po ashtu, një pjesë e tyre janë duke marshuar nga selia blu në drejtimit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë.

Ora 11:35 – Mblidhen para selisë blu simpatizantë të PD-së

Teksa pritet që protesta e opozitës të nisë pas disa minutash, simpatizantë të PD-së janë mbledhur para selisë blu.

Me banderola dhe me flamuj të PD-së në duar, protestuesit pritet që të nisen rreth orës 12:00 për të marshuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë aty ku dhe do të mbahet protesta e opozitës.

Motoja e protestës së opozitës që do zhvillohet sot është “Shqipërisë i dalim Zot, pluralizmit, votës së lirë dhe demokracisë”.

RRUGËT E BLLOKUARA:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

/tvklan.al