Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri, ndaj të cilit pritet ekstradimi në Shqipëri.
SPAK njofton se arrestimi i Beqirit është bërë i mundur në saj të bashkëpunimit me autoritet franceze, pasi dyshohej se biznesmeni ndodhej në Francë.
“Më datë 19 qershor 2026, Prokurorët e Posaçëm të SPAK, kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve franceze në gjetjen e shtetasit E. B, në kushtet kur nga informacioni i disponuar dyshohej se ky shtetas ndodhej në territorin e Republikës Franceze.
Në momentin e kësaj kërkese, shtetasi E.B ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” (Red Notice) të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve gjyqësore shqiptare për qëllime arrestimi dhe ekstradimi. Pas marrjes së kësaj kërkese, SSI kontaktoi menjëherë Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) Franceze, duke mundësuar fillimin e menjëhershëm të hetimeve në territorin francez. Po atë ditë, u vendos një bashkëpunim i ngushtë me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO).
Hetimet fillestare sugjeronin se E.B. ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut”, citohet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Më tej bëhet e ditur se biznesmeni Beqiri kishte në pronësi të tij një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, dy apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe mjete motorike.
“Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente , u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj, Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre”, njofton më tej SPAK.
Ermal Beqiri u arrestua disa ditë më parë u arrestua në Paris pasi ishte shpallur në kërkim nga GJKKO, ndërkohë që pritet ekstradimi në Shqipëri. Ekstradimi drejt Shqipërisë pritet të bëhet brenda 40 ditësh, pasi gjykata e posaçme i ka caktuar 44-vjeçarit masën e sigurisë arrest në burg në mungesë.
Beqiri akuzohet se ka përfituar tendera me vlerë miliona euro nga AKSHI.
Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda si konkurencë e paligjshme, heqje e paligjshme e lirës, shkelje e barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal etj.
/tvklan.al












Botërori 2026 
