Futbolli nën dominimin e Spanjës. Pas titullit të fituar në kampionatin Europian, iberikët ishin të pandalshëm edhe në Lojërat Olimpike.

Futbollistët e kombëtares U-23 u shpallën fitues të medaljes së artë Olimpike, në një finale spektakolare kundër Francës.

5-3 ishin shifrat e takimit të zhvilluar në “Parc des Princes” ku u nevojiten shtesat për të përcaktuar olimpistin e artë. Avantazhi i Francës u duk se kapi në befasi iberikët, duke krijuar iluzionin e fitores së vendasve.

Por, spanjollët morën shpejt kontrollin e rezultatit, falë dopietës së shpejtë të Fermin Lopez. Për të kompletuar përmbysjen spektakolare mendoi Baena me një goditje fenomenale nga goditja e dënimit.

Me avantazhin 3-1, Spanja shkoi e qetë në dhomat e zhveshjeve, teksa tek “gjelat” ndërhyrjet nga stoli të Thierry Henry sollën frytet e duhura. Në limitet e kohës së rregullt, francezët rikthyen ekuilibrat me dy gola të shpejtë në 3-3 për ta dërguar finalen në shtesë.

Aty, Spanjollët ishin më të rezervuar dhe goditen në ato raste që iu shfaqen. Dy gola të mbërritur nga  Sergio Camello, i hyrë nga stoli dhe i shndërruar në hero për skuadrën spanjolle.

Për herë të parë finalja olimpike e futbollit të meshkujve dhuroi 8 gola, teksa medalja e artë shkoi për Spanjën që kurorëzon në mënyrën e duhur një vit kalendarik spektakolar. 

Franca u ngushëllua me medaljen e argjendtë, ndërsa e bronzta shkoi për Marokun që në finalen e vogël shkatërroi 6-0 Egjiptin.

Klan News