Andres Iniesta ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur. Mesfushori spanjoll e ka marrë vendimin dhe do ta bëjë publik më 8 Tetor.

Pas një karriere të gjatë dhe me suksese të shumta, Iniesta tashmë ka vendosur të varë “këpucët në gozhdë”.

Spanjolli ka fituar thuajse çdo trofe të mundshëm, por në aspektin personal i mungon ai më i rëndësishmi, “Topi i Artë”.

Sezonin e kaluar, 40-vjeçari luajti në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa nga 1 korriku është pa skuadër.

Mesfushori kishte një karrierë të suksesshme te Barcelona, me të cilët fitoi 4 Champions League, 3 Kupa të Botës për klube, 9 La Liga, 3 Superkupa të Evropës, 6 Kupa të Mbretit dhe 7 Superkupa të Spanjës.

Ai ka qenë vendimtar edhe me Spanjën, ndërsa goli i tij ndaj Holandës në vitin 2010 do të mbahet mend gjatë, pasi iu dhuroi spanjollëve trofeun e Kupës së Botës. /tvklan.al