Surpriza dhe lumë golash në ndeshjet e fundit të muajit qershor të Ligës së Kombeve. Gjermania triumfoi në klasiken e futbollit Europian. Pancerat shpartalluan 5-2 kampionët e Europës, Italinë, duke i dhënë një shuplakë të fortë Axurrëve. Kimish, Gundogan, Muler dhe dopieta e Vërner i dhanë fitoren Gjermanisë, që merr vendin e dytë në grupin 3 të Divizionit A në Ligën e Kombeve. Për Italinë realizoi Gnonto dhe Bastoni, por që nuk i vlejtën për të marrë pikë nga dueli i “Borusia Park”.

Hungaria vijon të mrekullojë në Ligën e Kombeve të këtij sezoni, pasi mposhtën me poker golash, 4-0 Anglinë. Hungarezët ishin të papërmbajtshëm në këtë sfidë, kjo për shkak se “tre luanët” e mbyllën sfidën edhe me 10 futbollistë. Me këtë fitore, Hungaria merr kreun e grupit me 1 pikë më shumë se Gjermania, ndërsa Anglia rrezikon të bie një Divizion më poshtë në edicionin e radhës.

Fitore të rëndësishme mori Holanda, 3-2 në shtëpi përballë Uellsit. Tulipanët siguruan tre pikëshin me golat e Lang, Gokpo dhe Depaj, me sulmuesin e Barcelonës që i dha edhe fitoren në minutat shtesë. Holanda ngjitet në kuotën e 10 pikëve pas 4 sfidave, tre më shumë se Belgjika, që mposhti 1-0 Poloninë. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Batshaui.

Klan News

/tvklan.al