Studentët e Universitetit të Sporteve do të kenë mundësi që të punësohen në Gjermani në fushën e hoteleri-turizmit, mjekësi, kujdestari, infrastrukturë etj.

Pranë ambienteve të Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, studentët, nën drejtimin e Dekanit, Prof. Asc. Dr. Ferdinand Mara morën pjesë në një workshop-video konference me WBS Recruting International, një nga kompanitë lider në fushën e Menaxhimit të Sportit dhe Turizmit me qendër në Gjermani dhe me shtrirje në shume vende të Europës dhe të botës.

Dekani i Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit e quan këtë lloj binjakëzimi si avantazhin më të madh.

Edhe një nga pedagogët në veprimtarinë fizike, Prof. Dr Agron Kasa, shprehet se ky lloj binjakëzimi me këtë kompani gjermane është një mundësi e artë, ku të gjithë studentëve u jepet mundësia e kualifikimit jashtë vendit nga ku më pas edhe të korrin edhe sukses.

Ky lloj workshop-i u vjen në ndihmë edhe studentëve që vazhdojnë studimet në degën master profesional Menaxhim në Sport e Turizëm dhe master në Aktivitet Fizik-Trajner Fitnesi, që kanë për qëllim përgatitjen e menaxherëve të institucioneve sportive apo turistike.

Kohët e fundit, Universiteti i Sporteve ka përfshirë programe nga më të ndryshmet, si udhërrëfyesin turistik të specialitetit të veçantë, që tanimë është edhe i licencuar. Tashmë agjencitë turistike janë ndërgjegjësuar për të punësuar menaxherë të diplomuar nga ky universitet.

Ajo që po vihet re gjithnjë e më shumë se nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, studentët kanë rritur gjithnjë e më shumë interesin ndaj guidave turistike, të cilat zhvillohen në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Klan Plus