Sulmuesi shqiptar ndëshkohet me karton të kuq pas 25 minutash

Sezoni i ri në MLS ka nisur në mënyrë katastrofike për Giacomo Vrionin. Sulmuesi shqiptar u ndëshkua me karton të kuq që në ndeshjen e parë për të ndikuar negativisht në humbjen 3-1 që Nju England pësoi ndaj DC United.

Përballje negative për Vrionin, i cili u ndëshkua me karton të verdhë pas 12 minutash, ndërsa në të 25, ndërhyrja me takë ndaj kundërshtarit solli edhe përjashtimin nga loja. Ndëshkim që ndikoi jo pak në performancën e skuadrës së tij. Në inferioritet numerik, Nju England dështoi për të marrë të paktën një pikë.

Kristian Benteke shënoi tre gola për t’i dhënë fitoren skuadrës së DC United. Nisje aspak e mirë për ekipin nga Boston, por edhe për Vrionin i cili do të mungojë në takimet e radhës për skuadrën. Giacomo Vrioni ka një kontratë me Nju England deri në fundin e vitit 2026, teksa në dy sezonet e fundit ka shënuar 7 herë. 25-vjeçari kërkon një thirrje në kampionatin Europian me kombëtaren shqiptare, por starti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është ai i duhuri.

Klan News