Rikthehet platforma e bashkeqeverisjes/Meta “cmendet” nga gazetaret.

Kjo e mërkurë riktheu takimet e kryeministrit Rama me koordinatorët dhe qytetarët, që i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes.Nuk munguan fjalitë pompoze, por edhe emocionet e qytetarëve, të cilët, pasi janë endur nëpër zyra, kanë provuar portalin qeveritar.Presidenti Meta, me anë të një statusi në facebook,u shpreh se “po e cmendin” gazetarët me pyetjen, nëse do të paraqitet në komisionin hetimor parlamentar, të ngritur për shkarkimin e tij. Kreu i shtetit u shpreh, se mezi pret të kthehet në parlament.Nga ana tjetër, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte sot në selinë blu, ku u takua me Bashën, për të koordinuar aksionin politik të vjeshtës.

Ksamil/ pengohen mjetet lundruese me VKM-ne, qe ndalon parashutat.

Erjon Fataj dhe Jetmir Mollanji janë pronarë të mjeteve motorike, të vendosura në Gjirin e Orestit në Ksamil. Të pajisur me dokumentet e nevojshme, ata shtuan këtë verë edhe aktivitetet me banane dhe disko boat, gjë që i kanë pasqyruar edhe me NIPT-e. Por Erjoni dhe Jetmiri tregojnë se janë penguar nga Policia Kufitare, duke iu referuar një VKM-je, të vitit 2014. Në fakt kjo VKM flet për parashuta, që nuk lejohen dhe jo për disko boat dhe banane, që tërhiqen nga mjeti lundrues.
“Jemi 3 mjete me dokumentacion të rregullt, kemi shtuar një aktivitet që tërheqin këto lojërat sportive në det. E kemi përfshirë edhe në licencën tonë. Na tha Kufiri që nuk lejohen pa licencë, do pajiseni me licencë. Që nga dita e parë që morëm licencën nuk po lëvizim dot më në det. Kemi 5 ditë që jemi të bllokuar. Ne na ka caktuar bashkia një korridor, që është moli që e kemi bërë vetë dhe marrim njerëzit në skaf i hipim në gomë, u vendosim jelekët dhe dalim me avash deri jashtë Ksamilit. Do të thotë që dalim pas ishujve. Ajo është një lojë familjare që mund të hipë edhe një 8-vjeçar, është i pajisur me jelek dhe bëhet tërheqja avash avash, pas hapësirës së Ksamilit. Tani, cila është arsyeja që na pengojë? Deri dje na thanë që duhet licencë, e morëm licencën. Sot na ndaluan. Ne kemi kthyer gjithë këto rrugë, vijnë njerëzit këtu dhe thonë për çfarë vijmë në Ksamil. Këto i kërkojnë pushuesit vetë. U kemi thënë na e jepni dhe me shkrim që ndalohet, nuk kanë pranuar. Nuk na e kanë dhënë”, tregon Erjon Fataj.
“Ky shoku ka këtë dyshekun, kurse unë kam këtë bananen atje… Këtë nuk e kemi shpikur ne, i ka shpikur bota e zhvilluar. Unë të paktën vetëm 1500 euro kam marrë atë bananen, veç skafit që bën mos them më shumë se 10 mijë euro, veç molit që janë lekë të tëra të hedhura. Sivjet nga nxorën që nuk lejohet nga VKM-ja. VKM-ja thotë për parashuta, këto nuk kanë parashuta”, u shpreh Jetmir Mollanji.
Dy denoncuesit e ftuan gazetaren që të bënte një xhiro për të parë sesa të sigurta janë këto mjete dhe i treguan, edhe vendin ku i zhvillojnë këto sporte ujore. Ndërkohë, Nënprefekti i Sarandës, Mirosh Birjani u shpreh se këto mjete nuk duhet të ndalohen, pasi VKM-ja nuk përcakton ndalimin e tyre.
N/prefekti Sarandë: Ju kam thënë atyre, ju kam dhënë edhe vendimin e qeverisë, ju kam thënë të mos ngatërrojnë plazhet, kush është polic. Kam komunikuar me Drejtorinë e Policisë. Jo, më thotë, s’kemi kthyer njeri.
Vendimin e Qeverisë 321 e kanë fotografuar tek unë, edhe ishte një pikë për parashutizëm, që s’kemi lidhje fare, që ua kishin dhënë këtyre çunave.
Di që është ky problem se e kam marrë dhe Drejtorin e Policisë së Kufirit dhe më tha, mua jo, bile përveç këtyre janë lejuar edhe jet ski, sepse korridoret ishin vendosur.
Ndërsa në Policinë e Kufirit, Kryekomisar Fadil Veli tha se do ta verifikojë situatën, pasi nuk ka dijeni për të.
Gazetarja: Shefi si je? Domenika, gazetare nga emisioni “Stop”.
Kryekomisari: Si jeni? Mirë?
Gazetarja: Ata, që janë drejtuar kanë një pikë te Gjiri i Orestit, janë të pajisur me patentë, mjet të kolauduar etj. Kanë banane dhe disko boat, që i tërheqin. Dua të di, se pse është bërë ndalimi i këtyre dy mjeteve konkretisht, banane dhe disko boat, janë personat vetë?!
Kryekomisari: Kush të tha? Unë nuk e di atë, këtë ma thua ti, që je gazetare, ai qytetari s’ma ka thënë mua.
Gazetarja: Më lejo t’ju vë në dijeni, që janë dy raste.
Kryekomisari: Si shef komisariati, nuk e di fare si problematikë, që ka qytetari. Do të kthej një përgjigje të saktë, pasi ta verifikoj të gjithë këtë histori.

Denoncimi per perdhunim nga vajzat norvegjeze, reagimi absurd i policise.

Një ditë më parë, emisioni “Stop” transmetoi denoncimin e qytetarit Sulejman Alia. Ai tregoi, sesi djemtë e tij kishin rënë pre e një denoncimi të rremë për përdhunim nga ana e tre turisteve norvegjeze, në lokalin, që kanë tek Mali i Robit.

Pasi vajzat kërkuan ndjesë, ato u lanë të lira, por djemtë e akuzuar, kërkojnë të venë drejtësinë e nderin në vend.

Pas transmetimit, drejtoria e Policisë Tiranë solli një njoftim, ku thuhej, se ka patur telefonatë nga një shtetase e huaj, se një shoqja e saj ishte larguar pa adresë. Në këtë pikë, policia ka kryer procedurën standarde, -thuhet në njoftimin absurd të policisë së Tiranës.

Kemi edhe përgjigjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pra sot, më 4 Shtator, një ditë pasi u transmetuan pamjet tek emisioni investigativ “Stop”. Sepse shkresave respektive të qytetarëve me 10 Gusht dhe emisionit “Stop” me 21 Gusht, nuk u ktheu përgjigje asnjë njeri. Dhe e dini kush është absurdi më i madh? Që kësaj ngjarjeje i japin dy versione. Njoftimi i rremë nga 3 shtetase norvegjeze ishte për përdhunim, ndërkohë këtu është për një person të zhdukur. “Bazuar në telefonatën e sallës operative, datë 3 Gusht 2019, ora 01:33, bërë nga një shtetase e huaj që kërkoi ndihmën e policisë, pasi i ishte largua shoqja pa adresë. Policia e Kavajës ka kryer të gjitha verifikimet sipas procedurës standarde të punës. Në kuadër të veprimeve verifikuese u shoqëruan disa persona që mund të kishin dijeni. Më pas, shtetësja e denoncuar si e larguar u gjet dhe personat e shoqëruar në zbatim të ligjit nr. 108/2014 “për Policinë e Shtetit”, neni 5, germa a, b,c, neni 17, germa c, neni 18, si dhe nenit 30, kreu III, nenit 297 pika 1 të kodit të Procedurës Penale, pas intervistimit mbi dijeninë që mund të kishin u lanë të lirë. E gjithë kjo procedurë ka qenë korrekte dhe nuk ka patur pretendime.” Se çfarë dijenie duhet të ketë një pronar lokali bashkë me stafin e tij, për një person që largohet nga lokali, unë këtë nuk e marr vesh. Me këtë kthim-përgjigjeje të policisë, ku ndryshohet akuza nga përdhunim në zhdukje personi, policia del e larë, sepse nuk e ka shkelur ligjin 272 për njoftim të rremë dhe na ka sqaruar me gjuhën e saj të drunjtë dhe përgjigjet shabllon. Sa me kuptim i keni thënë këto fjalët pa kuptim”.