Premton bursa për studentët nga familje të varfra

Nga Elbasani ku nisi turin e dëgjesave “Rrugëtimi për Shqipërinë”, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se ka dështuar me politikat e saj për të rinjtë duke ofruar si të vetmen zgjidhje emigracionin.

“Dështimi numër 1 i kësaj qeverie vjen me rininë dhe kjo përbën një shtysë për emigracionin sepse kjo qeveri ka vrarë shpresën, besimin tek e nesërmja”, tha Basha.

Për të shmangur këtë fenomen, por edhe atë të hemorragjisë në universitete ku sipas tij vetëm në atë të Elbasanit për këtë vit të ri akademik janë mbyllur 12 degë, Basha tha se Partia Demokratike ka një plan masash që nisin nga tarifat e studimit deri tek stazhet e paguara me paratë e buxhetit të shtetit.

“Çdokush që do të studiojë në universitete publike dhe që vijnë nga një familje nën 600 mijë lekë do përfitojë 100% rimbursim nga buxheti i shtetit. Ata mbi 640 mijë lekë do përfitojnë 50%. 10 mijë më të mirët çdo vit do marrin një vit stazh të paguar nga shteti”, tha Basha.

Përmirësimi i klimës së biznesit dhe rikthimi tek taksa e sheshtë është një tjetër prioritet, sipas Bashës, i demokratëve pas ardhjes në pushtet.

Tv Klan