MARS: Ndërtimi i kampusit nis vitin e ardhshëm

Zhurma e punimeve i shoqëron prej disa ditësh studentët e fakultetit ekonomik gjatë zhvillimit të mësimit.

Godina u dëmtua nga tërmeti i 21 shtatorit.

Një pjesë e studentëve dhe administratës së fakultetit janë detyruar të zhvendosen në disa godina të tjera të qytetit studenti.

 “Godina Liria në Qytetin Studenti po shfrytëzohet si mjedis alternativ për studentë nga degë të ndryshme që vijnë për të zhvilluar procesin mësimor. Kjo për shkak se në fakultetet e tyre nuk ka hapësira të mjaftueshme në auditore apo janë në rikonstruksion.”

Një tjetër shqetësim është mungesa e sallave që mbajnë një numër të madh studentësh.

Në cilën degë studion?

“Për arkeologji. Vijmë këtu sepse auditoret e fakultetit nuk mjaftojnë. Nuk ka as këtu kushte, jemi pa projektor”, shprehet një nga studentët.

“Unë studio për gjuhë – letërsi. Jemi rreth 120 studentë, nuk ka salla që mund të zhvillojmë mësimin tek fakulteti”

Drejtuesit e fakulteteve dhe studentët thonë se kjo situatë mund të zgjidhet me ndërtimin e Kampusit Universitar të Tiranës.
Ndërtimi i Kampusit Universitar ka qenë një premtim i artikuluar që nga qeveria Berisha, por pas kaq shumë vitesh vijon të mbetet një premtim nga qeveritë. Kemi pyetur në Ministrinë e Arsimit që pohon se ndërtimi i  Kampusit do të nisë në mesin e vitit 2020 dhe do të zgjasë 3 deri 4 vite. Megjithatë mbetet ta besojmë kur të ketë një fond të miratuar dhe të nisë puna konkrete për ndërtimin e tij.

Sipas masterplanit të prezantuar nga qeveria Rama në janar të 2019, Kampusi Universitar me një shtrirje prej 240 mijë m2 do të përmbajë 11 godina të reja, bibliotekën studentore, terrene sportive, mensën etj dhe do t’i shërbejnë rreth 27 mijë studentëve. Projekti parashikohet të përfundoi brenda 4 viteve të ardhme.

Tv Klan