“Sulmi kibernetik i njëjtë me ato në Ukrainë dhe Europë”

“Një sulm kibernetik të ngjashëm me ato në Europë vitet e fundit” e ka cilësuar qeveria shqiptare në një deklaratë atë që ka ndodhur prej paradites së të dielës me sistemet online dhe institucioneve shtetërore.

“Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metodologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impiantet e prodhimit të energjisë me erë”.

Autoritetet garantojnë se të dhënat e shqiptarëve nuk janë cenuar dhe se ato janë të sigurta duke shtuar se nuk ka vend për polemika politike.

“Sistemet qeveritare kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta. Sigurojmë të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura. Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike, ndaj të lëmë ekspertët të bëjnë punën e tyre në mënyrë që çdo sistem që rikthehet në punë të jetë funksional dhe mbi të gjitha i sigurt”.

Për shkak se sistemet online janë mbyllur, Ministria e Arsimit njoftoi shtyrjen e afatit të regjistrimit për klasat e para dhe të dhjeta. Po ashtu për shkak të kësaj situate, Ministria e Jashtme njoftoi se shërbimet konsullore online janë ndërprerë përkohësisht deri në një njoftim të dytë.

Deri në zgjidhjen e sistemit online, shërbimet e Policisë së Shtetit dhe gjendjes civile do të merren fizikisht pranë sporteleve përkatëse. 

Tv Klan