Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë
Humbja e thellë me Kilin duket se ka lënë shenjë tek lojtarët dhe trajneri i kombëtares. Edhe pse nuk e pranojnë rezultatin 3-0, askush nuk kërkon alibi. Megjithatë një ditë para ndeshjes miqësore me Suedinë, trajneri Silvinjo thotë se do të bëjë ndryshime në formacion.
“Dy ditë janë pak për të korrigjuar gabimet. Ne duhet të hedhim në fushë ndaj Suedisë një skuadër sa më të gatshme të jetë e mundur. E dinim që ishin ndeshje të vështira dhe pas kthimit në Tiranë ne do duhet të mendojmë për listën e Euro 2024. Nesër do të kemi ndryshim në formacion, në mënyrë që të gjithë lojtarët të kenë mundësinë të luajnë”, tha Silvinjo.
Vetë futbollistët thonë se duhet të rikthehen tek loja e mirë pasi nga kjo varet ftesa për në finalet e Europianit.
“Ndeshjen me Kilin e morëm pak lehtë, por nesër duhet ta luajmë ndeshjen me seriozitet dhe të bëjmë maksimumin. Duhet të përgatitemi për Europian. Suedia është një ekip i fortë fizikisht, por nesër duhet të bëjmë lojën tonë dhe të hyjmë në fushë për fitore”, u shpreh futbollisti Ylber Ramadani.
Burime pranë kombëtares bëjnë të ditur se futbollistët janë angazhuar të bëjnë një tjetër paraqitje, ndryshe nga ajo me Kilin në Parma. Në “Friends Arena” të Stokholmit do të ketë një numër të madh tifozësh. 2000 biletat e parashikuara për shqiptarët janë shitur menjëherë, por ata pritet të jenë të pranishëm në të gjithë impiantin. Mendohet që në stadium do të jenë rreth 18 mijë spektatorë. Edhe kjo sfidë do të transmetohet pa pagesë prej orës 19:00 të së hënës në ekranin e Tv Klan.
Tv Klan