Federate Shqiptare e Futbollit, projektet dhe zhvillimi, si dhe kualifikimi i kombëtares në Europianin e Gjermanisë ishin pjesë e një kronike speciale të televizionit Sky Italia me titullin “Një projekt në avangardë”. Në një intervistë, presidenti i Federatës Armand Duka shfaqet krenar për bazat e një infrastrukture të mirë që do t’i shërbejë së ardhmes.

“Futbolli është sporti më i dashur në Shqipëri dhe fatmirësisht nuk kemi konkurrencë në sport, pasi të gjithë shqiptarët duan të bëhen futbollistë, prandaj që t’i kënaqim të gjithë, duhet të bëjmë më shumë.  Gjëja që më bën më shumë krenar me Federatën është funksionimi shumë i mirë që ka, pasi janë krijuar baza të forta për të ardhmen. Me ketë staf kemi ndërtuar infrastrukturë, stadiumin “Air Albania”, “Shtëpinë e Futbollit, fusha sportive dhe shkollën e futbollit. Të gjitha këto i kemi arritur, pasi kemi krijuar një strukturë të fortë organizimi”, tha Duka.

Duka shpreson që përfaqësuesja e futbollit të qëndrojë sa më gjatë në finalet e Gjermanisë.

“Jemi shumë të kënaqur që jemi në Euro 2024, por edhe që luajmë kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. I ftoj të gjithë lojtarët dhe tifozët ta jetojnë këtë sukses që kanë arritur. Ne shkojmë atje për të luajtur, shkojmë për të dhënë më të mirën, por duke shpresuar edhe për rezultat pozitiv. Jemi të ndërgjegjshëm për nivelin e skuadrave që do të kemi përballë, por shpresojmë të rrimë në Gjermani sa më shumë të jetë e mundur”, u shpreh ai më tej.

Kombëtarja shqiptare është në grup më Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Sfidat e Grupit B, si dhe të gjitha ndeshjet e Euro 2024 do të transmetohen ekskluzivisht dhe pa pagesë në Tv Klan.

Tv Klan