Pep Guardiola tha se ka respekt të madh për trajnerin Erik ten Hag pas një sezoni negativ të Manchester United, ndërsa tekniku i City synon që të bëjë më shumë histori duke fituar Fa Cup.

Nëse triumfojnë në “Uembli”, atëherë Citysens bëhen ekipi i parë në Angli që fitojnë radhazi si titullin, ashtu dhe FA Cup.

“Djajtë e kuq” kanë humbur 6 nga 7 përballjet e fundit me ekipin e Pep në të gjitha kompeticionet, ndërsa e mbyllën këtë sezon në vend të tetë në renditje.

Ten Hag kërkon suksesin që të shmangë shkarkimin. Por spanjolli tha se ka respekt për holandezin, me performancën e United që u ndikua nga dëmtimet.

Pep Guardiola, trajner i Manchester City: Në klubet e mëdha si United dhe City kur nuk fiton, je gjithmonë në telashe. Ky nuk është një sekret! Unë kam një respekt të madh për punën e tij si në të kaluarën, ashtu edhe tani te United. Jam plotësisht dakord kur thotë se nuk ka pasur një ekip të plotë,  nga dëmtimet e shumta. Kur nuk përdor lojtarët nga dëmtimet, është disavantazh i madh. Kur bëhet fjalë për ndeshje të rëndësishme, ata gjithnjë bëjnë paraqitje mjaft të mira.

Ndërsa tekniku i Manchester United, Erik ten Hag deklaroi se fokusi i tij është fitorja në finale dhe jo e ardhmja. Holandezi beson se skuadra e tij mund ta ngrejë trofeun dhe të shpëtojë sezonin.

“Djajtë e kuq” e kanë fituar Fa Cup 12 herë, por ka vetëm një sukses në pesë finalet e fundit, në 2016 ndaj Kristal Palas.

Vitin e kaluar, ata u mundën nga ekipi i Pep 2-1 në “Uembli”.

Klan News