Raportim Live
Shpërndarë

Loja e madhe për kontrollin e Hormuzit

Kryeministri i Katarit ka vizituar Muskatin për bisedime me Omanin lidhur me ngritjen e negociatave që do të përfshijnë Iranin, Irakun dhe vendet arabe të Gjirit, me fokus rihapjen dhe funksionimin e ardhshëm të ngushticës së Hormuzit, bëri të ditur për Reuters një diplomat i informuar mbi diskutimet.

Sipas diplomatit, këto bisedime janë të ndara nga negociatat e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Vendet e Gjirit pritet të kërkojnë që kalimi përmes ngushticës të mos shoqërohet me tarifa tranziti, ndërsa Irani mund të propozojë vendosjen e tarifave për çështje mjedisore, navigimi dhe sigurie, tha diplomati.

Trump: Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

Donald Trump deklaroi në Washington se është arritur një marrëveshje, që sipas tij garanton se Irani nuk do të pajiset kurrë me armë bërthamore.

Ai tha se kjo është një arritje që asnjë president tjetër amerikan nuk e kishte siguruar më parë.

Trump shtoi se situata në Lindjen e Mesme është bërë më e sigurt pas këtij zhvillimi. Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme për programin bërthamor iranian.

download app

Vijojnë në Uashington bisedimet mes Izraelit e Libanit

Bisedimet mes Libanit dhe Izraelit po vazhdojnë në Uashington.

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar “zona pilot”, ku forcat izraelite do ia transferojnë territorin njësive të verifikuara të ushtrisë libaneze.  

Grossi: Inspektim në objektet bërthamore iraniane. Irani: Pas marrëveshjes me SHBA-të

Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së, thotë se vizitat në objektet bërthamore të Iranit do të zhvillohen në përputhje me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar së fundmi.

Por Irani thotë se inspektimet nga organi mbikëqyrës bërthamor do të “shqyrtohen dhe zgjidhen vetëm brenda kornizës së një marrëveshjeje përfundimtare” me SHBA-të.

Marco Rubio: SHBA-të do mbrojnë interesat e aleatëve të saj në Gjirin Persik

Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio ndodhet në një turne në Gjirin Persik.

Ai iu ka premtuar aleatëve se Uashingtoni do të mbrojë interesat e tyre, teksa bisedimet me Iranin vazhdojnë.

Edhe pse armëpushim, Izraeli vret 2 njerëz në Liban

Dy persona u vranë kur një sulm izraelit goditi makinën e tyre pranë qytetit Nabatieh në Libanin jugor, me gjithë armëpushimin në fuqi.

Po ashtu, u raportua edhe një tjetër sulm në zonën Nabatieh al-Fauqa, pa konfirmim për viktima. Forcat izraelite u shfaqën edhe në terren në fshatin Ain al-Arab, duke urdhëruar banorët të largoheshin nën kërcënimin e shkatërrimit të shtëpive.

Banorët janë detyruar të largohen sërish, ndërsa situata ndodh në mes të diskutimeve diplomatike për zona pilot dhe tërheqje të forcave izraelite.

Rutte: Veprimet e SHBA-ve në Iran do të kishin qenë shumë të vështira pa Evropën

Gjatë takimit me Trump në Zyrën Ovale, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kundërshtoi ankesat e presidentit amerikan se aleatët evropianë nuk e kishin mbështetur SHBA-të gjatë luftës me Iranin.

“E di që ka pasur raste të veçuara për të cilat ju jeni vërtet i zhgënjyer, por në përgjithësi aleatët tuaj evropianë kanë qenë përkrah jush”, tha Rutte.

Ai theksoi se 4 000 deri në 5000 avionë amerikanë u ngritën nga bazat ushtarake në Evropë përpara se Irani dhe SHBA-të të binin dakord për një armëpushim.

Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj NATO dhe gjatë konfliktit me Iranin riktheu kërcënimet për largimin e SHBA-ve nga aleanca.

Më tej, Donald Trump deklaroi: “Ata nuk u sollën shumë mirë me ne gjatë përplasjes sonë të fundit të vogël ushtarake.”

Trump i zhgënjyer me aleatët e NATO-s: Ata na lanë vetëm

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump vazhdon të theksojë se ka mbetur i zhgënjyer nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca si dhe aleatë të tjerë të vendeve të NATO-s.

“Ata na lanë vetëm. Do të kishte qenë mirë nëse do të kishin ofruar ndihmën e tyre. Një president tjetër nuk do ta kishte pritur Rutte-n”, shtoi presidenti amerikan Donald Trump gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Duke pranuar pohimin e Trump se situata në tërësi përbënte “një tablo të përzier”, sekretari i përgjithshëm i NATO-s argumentoi gjithashtu se “do të kishte qenë shumë e vështirë të ndërmerrej operacioni ndaj Iranit pa pasur Evropën si një platformë projeksioni të fuqisë amerikane”.

Me këtë deklaratë, Rutte nënvizoi rëndësinë e aleatëve evropianë dhe të infrastrukturës së NATO-s në mbështetjen e operacioneve strategjike të SHBA-ve.

Kreu i NATO-s: Irani ishte shumë pranë armës bërthamore

“Irani ishte shumë pranë sigurimit të armës bërthamore dhe eksportonte terrorizëm”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një takimi në Zyrën Ovale me presidentin amerikan Donald Trump.

“Udhëheqësi i botës së lirë mori përsipër përgjegjësinë”, shtoi ai.

Presidenti Trump: Irani po sillet mirë, po pranon gjithçka që dua

“Irani po sillet shumë mirë. Ata po pranojnë gjithçka që unë dua. Janë të detyruar ta bëjnë këtë, përndryshe ne thjesht do të rikthehemi të bëjmë atë që duhet të bëjmë”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump në përfundim të drekës së tij me senatorët republikanë.

“Po fitojmë në mënyrë të jashtëzakonshme. Irani po bën lëshime të mëdha”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump, duke folur për mediat pas mbërritjes në Capitol Hill për takimin me senatorët republikanë.

Gjërat po shkojnë “shumë, shumë mirë”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Netanyahu: Nuk i kërkova leje Trumpit për të ndërhyrë në Iran

“Kur iu drejtova presidentit Trump para veprimit parandalues kundër Iranit, nuk kërkova leje, thjesht i njoftova planin tonë.

Fatmirësisht, edhe ai u bashkua me ne drejt fundit, në një veprim shumë të rëndësishëm”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një fjalimi të gjatë në Konferencën e autoriteteve lokale 2026.