Bisedime me Bullgarinë për të arritur marrëveshje për historinë, gjuha s’negociohet

Bisedimet për tejkalimin e mospajtimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë nga ministrat e Jashtëm ndërsa identiteti dhe gjuha maqedonase janë vijat e kuqe në këto negociata, sipas Kryeministrit Zaev.

Ai pohoi se gjuha dhe identiteti nuk janë fare në tavolinën e negociatave pasi Bullgaria e pranon gjuhën dhe identitetin maqedonas ndaj palët duhet të flasin për historinë. Zyrtarët maqedonas theksojnë se është i mundshëm një udhërrëfyes për ndjekjen e marrëveshjes me Bullgarinë si pjesë e procesit të BE-së, por jo edhe si pjesë e kornizës negociuese.

Ndërkaq Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, thotë se dëshiron marrëveshje të kënaqshme për të dyja vendet.

Edhe Zv/Kryeministri Nikolla Dimitrov pohon se gjuha e identiteti janë rezultat i një procesi historik dhe nuk mund fare të bisedohet për këto tema.

Sipas tij, vendi nuk do të heqë dorë nga e ardhmja evropiane dhe kështu nuk do të lejohet të preket identiteti maqedonas. Me 8 Dhjetor mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE-së, ku përsëri mund të vendoset çështja për mundësi për fillim zyrtar të negociatave me Bashkimin Evropian, pasi Bullgaria në mbledhjen e 17 Nëntorit vendosi veton dhe qëndroi në kërkesat e saj për disa kushte në kornizë.

Nga ana tjetër opozita maqedonase ka paralajmëruar interpelancë ndaj qeverisë se Zaevm por ende nuk e ka të sigurtë shumicën e votave në parlament për rrëzimin e saj.

Klan Plus