Rusët po hetojnë nëse në një prej sulmeve të tyre ajrore, muajin e shkuar kundër ISIS në qytetin jugor të Sirisë, Raqqa, mund të kenë vrarë liderin e grupit, Abu Bakr al – Baghdadi.

Nëse Baghdadi është vrarë, vdekja e të vetë shpallurit “Kalif” do të ishte një humbje e madhe simbolike dhe do të hidhte në erë konceptin e një “Shteti Islamik”, i të cilit ai ishte figura kryesore.

Por sa i përket të ardhmes së ISIS, si grup terrorist dhe një burim frymëzimi, nëse Baghdadi është gjallë ose jo, mund të mos ketë shumë rëndësi. Kjo vlen si për situatën e zymtë dhe me gjasë të pakthyeshme të ISIS në fushëbetejat në Siri dhe Irak, por edhe për vendosmërinë në mesazhet e tij në rrethet xhihadiste në mbarë botën. Siç al Qaeda i mbijetoi vdekjes së Osama bin Laden dhe disa prej figurave të rëndësishme të tij, edhe ISIS është më shumë se Baghdadi.

Ende nuk ka vdekur?

Sigurisht, thashethemet për vdekjen e Baghdadit kanë qenë të ekzagjeruara në të shkuarën, kryesisht në fillim të 2015 –ës, kur vëmendja u përqendrua tek pasardhësit e tij të mundshëm.

Por në fund, ai dha prova se ishte gjallë me anë të një mesazhi audio për betejën e Mosulit, në fund të vitit të shkuar.

Është e vërtetë që fuqia ajrore e Rusisë ka qenë tepër aktive përgjatë dy javëve të fundit në zonat e shkretëtirës mes Raqqas dhe Palmirës. Në fund të Majit, sipas Ministrisë ruse të Mbrotjes, nga Mesdheu u lëshuan raketa për të goditur një autokolonë të ISIS. Sipas Ministrisë pati gjithashtu sulme në bunkere e shpella të përdorura nga ISIS në këtë rajon.

Sidoqoftë, nëse Baghdadi ka vdekur, është e çuditshme që asnjë thashethem, aq më tepër një njoftim zyrtar nuk ka dalë në këto 18 ditë që prej sulmeve që Rusia thotë se ka ndërmarrë. Sidomos nëse objektivi ishte lidershipi i ISIS, siç pohon Ministria e Mbrojtjes ruse. Duke lënë mënjanë këto dyshime, çdo lider i ISIS, Baghdadi apo dikush tjetër, do të përballej me një fushëbetejë të tërheqjes dhe kaosit.

Një ushtar iraken duke bërë shenjen e fitores “V” (victory)

Rrëzimi i kalifatit

Dobësimi i pozicionit të ISIS në Siri dhe Irak është përshkallëzuar gjatë muajve të fundit, pasi ka humbur territor dhe ka pësuar gjithashtu humbje të mëdha të luftëtarëve nga sulmet e intensifikuara ajrore dhe atyre tokësore.

Pjesa më e madhe e luftëtarëve të grupit janë në arrati, në kërkim të një strehe për t’u rigrupuar, apo për të kryer beteja urbane. Lidershipi i tij është dëmtuar, makina e dikurshme administrative është zhdukur, aftësia për të tërhequr përforcime nga jashtë është dobësuar.

Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak sulmeve agresive nga forcat e koalicionit të drejtuara nga SHBA, siç shpjegoi edhe muajin e shkuar Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis:

“Jemi zhvendosur nga taktika e tërheqjes, ku i shtynim nga një pozicion në tjetrin në Irak dhe Siri, tek taktikat e asgjesimit, ku i rrethojmë”.

Në Irak, luftëtarët “e pashpresë” që janë pakësuar në qindra, po zhvendosen drejt Perëndimit të Mosulit, rreth xhamisë ku Baghdadi e shpalli veten kalif, gati tre vite më parë. Më tej në Perëndim, milicia Shia e Irakut ka lëvizur në vende të boshatisura të provincës së Anbar, shpesh i përfolur si vendi ku fshihej Baghdadi.

Në Siri, ISIS është përballur me armiq të shumtë dhe e ka humbur pushtetin në zonat e provincave të Aleppos dhe rrethinave të Raqqas. Me kalimin e javëve, luftëtarët e tij janë shtyrë gjithnjë e më shumë nga kufijtë e Turqisë, dikur një burim kritik për furnizim dhe luftëtarë të rinj. Vetëm gjatë dy javëve të fundit ka humbur territor të konsiderueshëm si ndaj ushtrisë siriane, ashtu edhe nga rebelët e Forcave Demokratike Siriane, të mbështetur nga SHBA. Këto të fundit kanë përparuar në mënyrë të shpejtë në marrjen e zonave përreth Raqqas.

Një shembull: duket se të paktën disa liderë të ISIS së fundmi u përpoqën të rigrupoheshin në Lindje të Raqqas, rreth qytetit të Mayadin. Një prej tyre ishte një figurë e rëndësishme fetare, Turki al – Binali. Burime i thanë së fundmi CNN se ai ishte vrarë në një sulm ajror të koalicionit dhe media të tjera raportuan se Rayan Meshaal, themeluesi i agjencisë së lajmeve të ISIS, ishte vrarë gjithashtu në këtë zonë. Koalicioni i drejtuar nga SHBA tha se kishte ndërmarrë sulme ajrore në fund të Majit, në qendër të së cilave kishin qenë objektet e prodhimit të propagandës së ISIS.

Asnjë nga këto të dhëna nuk do të thotë se ISIS mund të hidhet në koshin e mbeturinave të historisë, por kontrolli i tij mbi pasuritë e paluajtshme po avullon.

Abu Muhammad al-Adnani

Në mesazh

Lidershipi i grupit e ka pranuar prej kohësh se kjo ditë mund të vinte, por e ndryshoi logjikën duke insistuar se territori është më pak i rëndësishëm se “vullneti për të luftuar”.

Në Maj të 2016 –ës, zëdhënësi dhe zyrtari i lartë i ISIS, Abu Mohammad al – Adnani, në një mesazh audio deklaroi: “

A do të mposhteshim ne dhe ju do të ishit fitimtarë nëse do të merrnit Mosulin, Sirtre apo Raqqa, apo edhe sikur të merrnit të gjitha qytetet dhe ne të detyroheshim të ktheheshim në situatën tonë fillestare? Padyshim që jo! Mposhtja e vërtetë është humbja e vullnetit dhe dëshirës për të luftuar!”

Mesazhi u përsërit Nëntorin e shkuar në një regjistrim të bërë nga vetë Baghdadi. Në atë pikë, ai po ofronte perspektivën e lavdisë në martirizim, në vend të një qyteti të shndërritshëm në kodër. “

Mbajtja e tokës tuaj me nder është një mijë herë më mirë sesa tërheqja me turp”,

tha ai.

Për një grup të fiksuar pas “fundit të ditëve” dhe betejave apokaliptike kundër ushtrisë të “kryqëzatave”, kjo nuk është asgjë më shumë se një pengesë në rrugë. Ashtu sikurse shpjegon një ish – xhihadist,

“nuk ka rëndësi se çfarë besoj unë apo ti; rëndësi ka çfarë besojnë ata”.

ISIS jeton

Edhe nëse Baghdadi ka vdekur, kjo nuk mund të thuhet për ISIS –in. Ky i fundit ka:

Një ideologji që padyshim ka ende përkrahës dhe mund të frymëzojë minimalisht disa myslimanë të rinj në Perëndim për akte terrori.

Rrjete, celulat e të cilave janë ende të afta për sulme terroriste monstruoze (për shembull në Bagdad dhe Kikuk); dhe që po tregojnë shenja rigjenerimi në provinca si Diyala në Irak.

Një tendencë që vijon të mbështetet nga grupe xhihadiste në Egjipt, Libi, Afganistan e Filipine. Gjatë ditëve të fundit ISIS ka marrë përsipër sulme në Kabul e Teheran dhe tre javë pasi kishin hyrë për herë të parë në qytetin e Marawit në Filipine, luftëtarët besnikë ndaj grupit, nuk janë dëbuar ende nga ushtria filipinase.

Padyshim që

raison d’etre

e ISIS dhe ajo që e dallon nga grupe të tjera si al Qaeda, ishte për të krijuar dhe administruar një kalifat dhe për të kërkuar bindjen e të gjithë myslimanëve për kalifin e “ligjshëm”, një Abu al – Baghdadi. Fraza “

të qëndrojmë dhe të zgjerohemi

” ishte dogma e tij.

Ishte vetë Binali, që në 2013 –ën tha:

“Pa dyshim kalifati kërkon një farë fuqie, fuqi dhe aftësi politike dhe kjo është e pranishme në Shtetin Islamik”.

Kjo thuajse nuk është më e pranishme, por mesazhi bën ende jehonë për ata që duan ta dëgjojnë, që legjitimët (siç e shpjegon Adnani)

“janë gjithmonë dhe përgjithmonë fitimtarë, që prej betejës së Noas dhe derisa Allahu të trashëgojë tokën dhe ata që ndodhen mbi të”.

E thënë ndryshe, në të vërtetë nuk ka rëndësi se sa ‘Bagdadi’ vriten. 

Burimi: CNN

Shqipëroi: tvklan.al