Durrsakët presin Beitar Jerusalem

Teuta, Laçi dhe Kukësi do të impenjohen sot në sfidat për kualifikueset e UEFA Europa League. Durrsakët janë gati për të tentuar kualifikimin ndaj izraelitëve të Beitar Jerusalem.

Luhet në “Niko Dovana” pa tifozë dhe nën masa të rrepta për sigurinë dhe masa të forta shëndetësore. Edi Martinit i mungon vetëm Çyrbja i dëmtuar ndërsa të gjithë të tjetër janë gati të hidhen në fushë.

Tekniku shkodran duhet të bëjë zgjedhjen më të mirë të lojtarëve më në formë për të shfrytëzuar ndeshjen teke dhe fushën e stadiumit vendas. Sfida do të nisë në orën 16:30.

Në orën 19:00 Laçi luan kundër Keshkla të Azerbajxhanit. Kurbinasit janë mësuar me ndeshjet në transfertë dhe që prej minutës së parë do të përpiqen të zgjidhin ndeshjen në fushën kundërshtare.

Në “Air Albania” do të luhet Kukësi-Slavia e Sofies. Skuadra e Skënder Gegës duket në formë dhe optimiste për ta kaluar këtë kundërshtar. Pritet ndeshje e kujdesshme në minutat e para, koha që duhet për të njohur kundërshtarin në fushë.

Kjo është edhe sfida më e vështirë. Skënder Gega shpreson shumë që reparti i sulmit me Rropca, Limaj dhe Gavazaj të jetë në formën më të mirë për të shfrytëzuar rastet e krijuara.

Tv Klan