Qytetarët të zemëruar, kallëzime penale ndaj tre personave të tjerë

Transporti publik në Greqi është ende i paralizuar. Mijëra punonjës të disa sektorëve në vend dolën në protestë pas tragjedisë në Larisa ku gjetën vdekjen 57 persona. Aksidenti hekurudhor ka ngjallur zemërim tek qytetarët lidhur me gjendjen e rrjetit hekurudhor në shtetin fqinj.

“Jam shumë e zemëruar dhe jo vetëm me dikë në veçanti, por me të gjithë. Kjo nuk duhet të ndodhte kurrë. Edhe unë jam përgjegjëse që nuk reagova që kjo të mos ndodhte”.

Punonjësit e transportit publik fajësojnë autoritetet atje për neglizhencë, investimet e pakta, por edhe stafin e pamjaftueshëm.

“Është logjike që do të ketë zemërim brenda shoqërisë, por besoj se gjatë këtyre momenteve heshtja është zgjidhja më e mirë”.

Sakaq, autoritetet në shtetin fqinj do të procedojnë me kallëzime të reja penale, pasi ka prova që implikojnë edhe tre persona të tjera. Pjesë e hetimit është edhe drejtuesi i trenit të pasagjerëve i cili humbi jetën në aksidentin tragjik.

Klan News

/tvklan.al