Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm më 6 nëntor në Francën lindore, ku një autobus që transportonte nxënës ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar se janë shkaktuar disa viktima, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Lent, në verilindje të Lionit, rreth 55 kilometra larg kufirit me Zvicrën.

Sipas kryebashkiakut të qytetit, Yves Cristin, autobusi ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë që ndodhej në një kanal anësor. Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të aksidentit dhe numri i saktë i personave të lënduar. Ministria e Arsimit dhe prefektura e Ain kanë konfirmuar se bëhet fjalë për disa viktima.

Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray u shpreh i tronditur nga ajo që ka ndodhur. Ai e cilësoi situatën veçanërisht të vështirë, pasi bëhej fjalë për fëmijë. Ndërkohë, ministri i Transportit, Philippe Tabarot, njoftoi se ishte nisur drejt vendngjarjes për të ndjekur nga afër situatën.

Sipas raportimeve nga autoritetet lokale, për të plagosurit në gjendje më të rëndë është angazhuar edhe një helikopter, i cili do t’i transportojë drejt një spitali të specializuar.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:00 me orën lokale, ndërsa shërbimet e emergjencës vijojnë ndërhyrjen në terren. Deri më tani nuk ka një bilanc përfundimtar mbi viktimat dhe të plagosurit.