Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të shtunën të vendosë agjentët federalë të imigracionit në aeroportet amerikane, nëse demokratët nuk bien dakord për masa që forcojnë sigurinë dhe zbatimin e ligjit të imigracionit.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se nëse “demokratët radikalë të majtë” nuk nënshkruajnë menjëherë një marrëveshje për të bërë vendin dhe veçanërisht aeroportet të lira dhe të sigurta, ai do të dërgojë “agjentët e shkëlqyer dhe patriotikë të ICE në aeroporte”.

Aktualisht, siguria në aeroporte është përgjegjësi e Transportation Security Administration, ndërsa ICE merret me zbatimin e ligjit të imigracionit. Të dy agjencitë janë pjesë e Departamentit të Sigurisë. ICE ka qenë një shtyllë e politikës së ashpër të Trump ndaj imigracionit, duke shkaktuar kritika nga demokratët, grupet e të drejtave civile dhe organizatat për mbrojtjen e imigrantëve.

Trump shtoi se ICE “do ta çojë sigurinë në një tjetër nivel, përfshirë arrestimin e menjëhershëm të të gjithë imigrantëve ilegalë që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe u përqendrua sidomos tek imigrantët nga Somalia, që sipas tij, kanë shkatërruar plotësisht Minnesota-n. Ai ka bërë më parë komente ksenofobe për imigrantët somalezë, duke i quajtur “plehra”, duke përfshirë edhe kongresisten demokrate Ilhan Omar.

Trump tha se vendosja e agjentëve do të fillojë të hënën “nëse demokratët nuk lejojnë sigurinë e duhur dhe të drejtë në aeroporte dhe kudo tjetër”.

Këto deklarata vijnë në një kohë tensioni politik mbi politikën e imigracionit dhe debatit më të gjerë mbi fuqitë federale të zbatimit të ligjit. Postimi i Trump erdhi disa orë pasi demokratët bllokuan një projekt-ligj për financimin e DHS, hera e pestë që nga fillimi i mbylljes së pjesshme të agjencisë në mes të shkurtit.

Senati e hodhi poshtë një mocion të demokratëve për të marrë në shqyrtim ligjin për të rihapur TSA-në dhe paguar punonjësit që po mbeten pa pagë. Republikanët argumentojnë se duhet të financohen të gjitha pjesët e DHS-së, jo vetëm disa. Një projekt-ligj për financimin e Departamentit nuk arriti të përparojë të premten.

Demokratët kërkojnë ndryshime në operacionet e zbatimit të imigracionit, përfshirë ICE, pas një aksioni në Minneapolis që çoi në përplasje dhe vdekjen e dy protestuesve, Alex Pretti dhe Renee Good. Ata kërkojnë identifikim më të mirë për oficerët federalë, një kod të ri sjelljeje për agjencitë dhe përdorim më të madh të urdhërave gjyqësore.

Kërcënimi i Trump për vendosjen e agjentëve të ICE në pika kontrolli të aeroportit vjen ndërkohë që një numër në rritje i agjentëve të TSA po largohen nga puna, duke përmendur vështirësitë financiare.

DHS tha se të paktën 366 agjentë të TSA kanë dhënë dorëheqjen që nga fillimi i mbylljes më 14 shkurt. Vendosja e ICE në aeroporte vjen gjithashtu gati një vit pas vendosjes nga TSA të kërkesës së pasaportave ose lejeve të drejtimit të federatizuara për udhëtarët ajrorë, duke i dhënë qeverisë një ide më të qartë mbi statusin e imigrantëve të udhëtarëve. Megjithatë, mbetet e diskutueshme nëse ICE ose Customs and Border Protection kanë autoritet ligjor për të ndaluar shtetas jo-amerikanë brenda vendit pa urdhër gjyqësor, përfshirë dhe aeroportet. Kodi relevant, USC 1357, lejon arrestime pa urdhër “brenda një distance të arsyeshme nga çdo kufi i jashtëm i SHBA-ve, për të patrulluar kufirin dhe parandaluar hyrjen ilegale të të huajve”.

Nga Edward Helmore, The Guardian

/tvklan.al