Asnjë vizitor nuk është parë prej muajsh

Kalaja e Beratit po kalon ditët më të vështira të turizmit.  Në zonën muzeale, të huajt nuk shihen prej muajsh, ndërsa vendasit numërohen me gishtat e dorës.

“Kalaja e Beratit prej disa muajsh nuk ka turistë dhe mungesa e tyre ka futur në krizë financiare familjet që nxjerrin të ardhura ekonomike nga shitja e suvenirëve”.

Dyqanet e suvenirëve të vetmet kërkesa që kanë, u vijnë nga vendasit. 

Vetëm një shishe ujë ka shitur Engjëlli përpara një jave, ndërsa për glikotë e tij të rralla, askush nuk pyet. Prodhimet janë drejt skadimit nga mungesa e kërkesës.

Artizanët që shiheshin nëpër rrugët e kalldrëmit nuk janë më. Ata kanë lënë punën përfundimisht, sepse nuk ka blerës. I vetmi që ka mbetur është Spiro, i cili ka 30 vjet që punon drurin për qëllime biznesi dhe prej 6 muajsh nuk ka shitur asgjë.

Nëpër restorante e kafenë ka gjithnjë e më pak njerëz, duke rritur nivelin e stresit për pronarët e tyre.

Këto janë ditët më të vështira për turizmin dhe sikur të mos mjaftonte kjo, rruga kryesore që të çon në kalanë e Beratit është e bllokuar për shkak të punimeve  për zgjerimin e saj. Alternativa tjetër është rruga e kalldrëmit të cilën duhet ta marrësh në këmbë këto ditë të nxehta Korriku.

Tv Klan