Avokatët kërkojnë që gruaja ta shlyejë dënimin pasi fëmija të mbushë 1 vjeç

Avokatët kërkojnë lirimin e menjëhershëm të Diana Bahçjas, e cila u arrestua pak ditë pasi lindi djalin e saj, pasi kishte marrë një gjobë prej 250 mijë lekësh që iu konvertua në një muaj burg.

Avokatët e cilësojnë arrestimin e gruas një gabim njerëzor dhe juridik dhe kërkojnë që ajo ta shlyejë dënimin pasi fëmija të mbushë një vjeç.

“Ne i kemi kërkuar Gjykatës shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë pasi kërkuesja ka një fëmijë të sapolindur dhe që ka nevojë urgjente për praninë e nënës së tij, për ta ushqyer dhe për t’u kujdesur për të.

Vendimi i marrë nga autoritetet, sipas avokatëve sjell edhe pasoja shëndetësore jo vetëm për foshnjën, por edhe për nënën.

“Burgosja e një gruaje lehonë dhe që duhet të ishte në regjim shtrati në shtëpi dhe të ushqente me gji të sapolindurin e saj rrezikon që të shkaktojë dëme të pariparueshme shëndetësore, deri në rrezikimin e jetës së vetë kërkueses.”

Gruaja ndodhet në burg në Tiranë, ndërsa për të porsalindurin kujdeset babai i tij, i cili të Martën kërkoi nga autoritetet që t’ja lirojnë bashkëshorten, pasi nuk mundet të kujdeset i vetëm për fëmijën.

Lehona ndodhet në burg pasi ish-bashkëshorti e paditi për braktisje të fëmijës nga martesa e parë.

Klan News