Spitali Rajonal Memorial i Fierit hapi dyert për qytetarët në muajin Maj të vitit 2021. Tashmë jemi në muajin Tetor dhe një qytetar nga Fieri denoncon në emisionin “Stop” se në këtë spital nuk ka ilaçe.

Idajete Kajolli tregon, se bashkëshorti i saj ka tumor në bark dhe me rekomandim të mjekut të familjes dhe specialistit në Fier, duhet të bënte rezonancë me kontrast. Që prej datës 31 Gusht deri sot, në këtë spital mungon ilaçi dhe i është thënë që ta gjej vetë në treg.  

Jam Idajete Kajolli nga fshati Dërmenas në Fier. Kam burrin me tumor në bark dhe i duhej një rezonancë patjetër për të parë sëmundjen. Më ka dhënë rekomandim mjeku i familjes për të bërë këtë rezonancë. Më tha që të vija në Spitalin Memorial në Fier. Erdha në 31 Gusht më thanë ka urgjenca dhe më thanë që të vija në ditë më vonë. Erdha ditën tjetër dhe më thanë që nuk ka ilaç. Kam kontaktuar disa herë dhe më kanë thënë që nuk ka ilaçe. Nga spitali më është dhënë dhe emri i ilaçit dhe më kërkuan që ta blija vetë”, shprehet denoncuesja.

Zonja Kajolli me anë të një kamerë të fshehtë në bashkëpunim me “Stop” shtoi sërish në spital dhe sërish iu tha që ilaç nuk kishte.

Denoncuesja: Po mirë, ku të vete unë?

Punonjësja: Po ti merr kontrastin dhe ta bëjmë ne!

Denoncuesja: Po ku t’i gjej?! Ai 100 mijë Lekë merr të gjitha.

Punonjësja: Ne ju kemi mbajtur emër, mbiemër, numër telefoni dhe sapo të vijë kontrasti, ju marrim në telefon.

Denoncuesja: Po ai ka kriza, ku ta çoj?

Punonjësja: Nuk ka kontrast. Po nuk jemi vetëm ne. Në rregull?

Më pas drejtuesit e spitalit të Fierit, i dhanë një tjetër zgjidhje, duke i vënë në dispozicion një autoambulancë, për të çuar pacientin për rezonancë në Vlorë. Idajete Kajolli tregon për “Stop” se bashkëshorti i saj është dërguar në Vlorë dhe e ka kryer rezonancën në spitalin e këtij qyteti, por kjo gjë ka ndodhur pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”.

Të hënën që erdhët ju, mua më thirrën të martën në orën 1:30 të drekës. Dhe shkova të nesërmen, në orën 8 më kanë futur brenda direkt. Po e bëri atë ditë. Faleminderit shumë prej juve! Kjo ishte ndihma, që më dhatë juve, se unë s’do kisha gjetur zgjidhje tjetër. Ju uroj suksese dhe juve në punët e tjera, që vijnë përpara”, tregon bashkëshortja e pacientit./tvklan.al