Personi që shikoni në këtë fotografi të siguruar nga gazetarja Glidona Daci është 20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes, turisti nga Portugalia që u vra në një beach bar në Ksamil më 18 gusht.
I riu portugez kishte ardhur së bashku me disa miq të tij prej gati një jave në Shqipëri. Ende në polici nuk janë paraqitur familjarë të 21-vjeçarit për të bërë tërheqjen e trupit. Fillimisht u raportua se konflikti kishte nisur për një vajzë, por kjo pistë mbetet të konfirmohet nga grupi hetimor.
Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar 11 persona, mes tyre dhe një efektiv i Policisë së Shtetit, i cili dyshohet për përfshirje në konflikt dhe se ka ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes. Sakaq, 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. 29-vjeçari u arrestua disa orë më vonë në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke dhe një pasagjer me të njëjtën kombësi.
Autori i ngjarjes së rëndë është shtetasi shqiptar S.V, që ka dhënë edhe versionin e tij në polici. Autori, i cili ishte i punësuar si truprojë te “Principota”, sqaron se konflikti ka nisur brenda ambienteve të lokalit mes disa turistëve që ishin nën efektin e alkoolit. Atyre u është kërkuar të mbajnë qetësi, por sherri ka degraduar në përplasje fizike.
S. V., ka deklaruar se thika me të cilën është qëlluar për vdekje turisti portugez, nuk ishte e tij, por e 20-vjeçarit. Ai ia ka marrë nga dora dhe e ka goditur për vdekje në një tjetër ambient në distancë nga lokali. Vetë autori i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, për shkak se ka shenja goditje në trup.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Ndërsa momenti i goditjes me thikë të 20-vjeçarit nuk është filmuar nga kamerat, për shkak se është distancë e largët dhe errësirë.
/tvklan.al












Botërori 2026 