19 gusht 2026 – Zbardhet dëshmia e 29-vjeçarit S. V., autor i vrasjes së turistit 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes ditën e djeshme në ambientet e jashtme të lokalit “Paradise” në Ksamil.
S. V., ka treguar përpara togave të zeza versionin e tij të ngjarjes nga nisja e konfliktit e deri te vrasja, për të cilën tha se ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Autori, i cili ishte i punësuar si truprojë te “Principota”, sqaron se konflikti ka nisur brenda ambienteve të lokalit mes disa turistëve që ishin nën efektin e alkoolit. Atyre u është kërkuar të mbajnë qetësi, por sherri ka degraduar në përplasje fizike, raporton gazetarja Glidona Daci.
S. V., ka deklaruar se thika me të cilën është qëlluar për vdekje turisti portugez, nuk ishte e tij, por e 20-vjeçarit. Ai ia ka marrë nga dora dhe e ka goditur për vdekje në një tjetër ambient në distancë nga lokali. Vetë autori i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditje në trup.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Ndërsa momenti i goditjes me thikë të 20-vjeçarit nuk është filmuar nga kamerat, për shkak se është distancë e largët dhe errësirë.
I riu nga Portugalia kishte ardhur së bashku me disa miq të tij prej gati një jave në Shqipëri. Ende në polici nuk janë paraqitur familjarë të 21-vjeçarit për të bërë tërheqjen e trupit. Fillimisht u raportua se konflikti kishte nisur për një vajzë, por kjo pistë mbetet të konfirmohet nga grupi hetimor.
Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar 11 persona, mes tyre dhe një efektiv i Policisë së Shtetit, i cili dyshohet për përfshirje në konflikt dhe se ka ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes. Sakaq, 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. 29-vjeçari u arrestua disa orë më vonë në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke dhe një pasagjer me të njëjtën kombësi.
/tvklan.al












Botërori 2026 
