Mes zhgënjimit dhe pasigurisë për të ardhmen, Ukraina dhe Shqipëria rikthehen në fushë për një përballje që ka pak nga një miqësore klasike. Sfida e kësaj të marte i gjen të dyja kombëtaret ende nën efektin e eliminimit nga gara për Botërorin, në një moment ku më shumë se rezultati, rëndësi merr reagimi dhe drejtimi që do të marrin ekipet në vijim.

Ukraina vjen në këtë sfidë pas humbjes ndaj Suedisë, ndërsa Shqipëria u ndal nga Polonia në fazën play-off, duke i dhënë fund ëndrrës për një vend në Botëror. Megjithatë, pavarësisht këtij realiteti të hidhur, të dyja skuadrat janë të detyruara nga FIFA të zbresin në fushë për një ndeshje miqësore, e cila në këto kushte merr më shumë një karakter formal sesa konkurrues. Gjithsesi, kjo mbetet një mundësi për të provuar elementë të rinj dhe për të parë reagimin e skuadrave në një moment delikat. Por ajo që e bën këtë ndeshje edhe më të veçantë është situata në stolat e dy ekipeve.

Tekniku i Ukrainës, Sergei Rebrov, dhe ai i Shqipërisë, Silvinjo, pritet të jenë në fundin e rrugëtimit të tyre me kombëtaret respektive. Për trajnerin ukrainas, kjo përballje shihet si ndeshja e fundit në krye të ekipit, duke mbyllur një cikël që nuk arriti të kurorëzohej me suksesin e shumëpritur. Ndërkohë, e ardhmja e Silvinjos mbetet ende e paqartë. Nuk dihet nëse kjo sfidë do të shënojë fundin e aventurës së tij me Shqipërinë, apo nëse do të ketë një mundësi për të rinovuar bashkëpunimin. Megjithatë, duke parë rezultatet dhe paraqitjet e fundit, gjasat për një vazhdim duken të pakta.

Në këtë kontekst, ndeshja mes Ukrainës dhe Shqipërisë merr një dimension tjetër, më pak për rezultat dhe më shumë si një pikë kthese për të ardhmen e të dyja përfaqësueseve. Një sfidë që, ndonëse miqësore në letër, mbart brenda saj shumë pikëpyetje dhe pritshmëri për atë që do të vijë më pas.

Klan News

/tvklan.al