Blerja më e kushtueshme e Austin dhe një nga më të mëdhatë në MLS, Myrto Uzuni u prezantua para tifozëve dhe mediave. Në stadiumin e skuadrës nga Teksasi që pagoi 12 milionë euro për ta marrë nga Granada ishin mbedhur shumë shqiptarë me flamuj kombëtarë dhe të Kosovës.
Për Myrto Uzunin synimi është i qartë, të fitojë dhe të bëjë historinë me skuadrën amerikane.
“Jam gati të fitojmë sëbashku që ta përmirësojmë skuadrën akoma më shumë. Synimet e mia janë të qarta të shënoj gola sepse jam një sulmues. Dua të bëj historinë me këtë klub në një kampionat si ky që po rritet çdo vit”, u shpreh Uzuni.
Tek Austin e vlerësojnë përvojën e Myrto Uzunit.
“Është një lojtar që zhvillon një lojë dinamike dhe mund të luajë në çdo pozicion në sulm dhe me cilësi shumë të mira. Këtë e ka treguar edhe në Spanjë që nuk është e lehtë të shënosh gola”, tha Rodolfo Borrell, Drejtor Sportiv i Austin.
Myrto Uzuni ka firmosur deri në fundin e 2027 me opsion edhe për 1 sezon tjetër.
Tv Klan