Familjarët presin rezultatet e autopsisë

Familja Hila në Dardhë të Hotolishtit, në Librazhd, ende nuk është bindur për shkakun e vdekjes së njeriut të tyre në Athinë.

Ata thonë se 52-vjeçari Gani Hila kishte shenja dhune dhe nuk ka vrarë veten ashtu siç ka raportuar policia greke. Familjaret janë në pritje të autopsisë për të marrë një përgjigje sa më të saktë për 52-vjeçarin, i cili ishte ndaluar nga policia sepse nuk kishte dokumente me vete.

“E mora vesh nëpërmjet telefonit që është vrarë, ka vdekur xhaxhai. Nuk e besova. Na thanë që për punë letrash, kishte vajtur në punë, kishin ardhur policët, i kishin thënë ku i ke letrat dhe ai i tha që “s’kishte për momentin”. Pastaj e kishin marrë e kishin futur brenda në burg dhe atje na thanë që e kishin rrahur keq, kishte shenja dhune, kishte vdekur brenda në burg dhe e kishin shpallur sikur ishte vetëvarur, por nuk e besoj të jetë vetëvarur sepse nuk ka pasur konflikte me njeri. Nuk kishte arsye pse ta vriste veten sepse ishte një njeri shumë i mirë”, tha Xhemile Hila.

Ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë dhe familjaret u njoftuan me telefon se 52-vjeçari kishte vrarë veten në paraburgim në Athinë të Greqisë. Hila kishte 20 vjet që jetonte në metropolin fqinj dhe ishte baba i dy djemve 18 dhe 10 vjeç.

Tv Klan