Në një njoftim të përbashkët për shtyp, Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur orët e vona të së mërkurës në Tiranë, ku 32-vjeçari Lear Kurti humbi jetën pas ndalimit nga policia.

Në njoftim thuhet se “nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore”.

Sa i përket veprimeve të punonjësve të policisë, në njoftim thuhet se i gjithë itinerari dhe veprimet e tyre pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë.

Njoftim i përbashkët për media i Prokurorisë Tiranë dhe AMP

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet hetimore proceduriale në lidhje me ngjarjen ku shtetasi Lear Kurti, 32 vjeç ndërroi jetë pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë, nga të cilat rezulton se:

Në datë 19.10.2022, ora 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta.

Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës.

Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3.

Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë.

Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.

Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore.

Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të Lear Kurti, 32 vjeç.

Për sa më sipër, AMP nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon hetimet për të sqaruar dhe zbardhur shkakun e vdekjes dhe rrethana të tjera të ngjarjes.

ORA 15:20 32-vjeçari ndërron jetë gjatë ndalimit nga policia, Miku i tij: Vuante nga një sëmundje e pashërueshme

Ky është Lear Kurti, i riu nga Tirana që ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës gjatë shoqërimit nga policia. 32-vjeçari po lëvizte në afërsi të Spitalit të Traumës rreth orës 23:07, kur një patrullë e policisë i ka bërë shenjë për të ndaluar. Sapo efektivët i kanë kërkuar të paraqesë një mjet identifikimi, Lear Kurti ka tentuar të largohet me vrap. Menjëherë punonjësit e policisë i janë vënë në ndjekje.

“Pasi u ndalua në zonën e Don Boskos nga dy efektivët, i riu është shoqëruar në Komisariatin Nr.3, ku gjatë rrugës nuk është ndier mirë dhe vetëm pak minuta më vonë ka ndërruar jetë”.

Agjencia për Mbrojtjen Policore jep këtë version për ngjarjen.

“Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.’

Për ngjarjen ka dëshmuar përpara hetuesve dhe shoku i tij me iniciale Z.S i cili ka treguar se e la 32-vjeçarin në një dyqan për të rimbushur telefonin dhe do rikthehej sërish për ta marrë. Më tej ai ka shtuar se shoku tij vuan nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa ka rrëfyer se të njëjtën gjendje të rënduar shëndetësore e kishte kaluar para 2 javësh, dhe ka qenë pikërisht ai që e ka dërguar në spital.

Nga verifikimet e kryera i riu, Lear Kurti ishte në një proces gjyqësor në Gjykatën e Apel për falsifikim, teksa në Shkallën e Parë kishte fituar pafajësi. Ai rezulton të jetë shoqëruar disa herë në polici si përdorues i lëndëve narkotike.

Deri tani grupi hetimit, nuk ka administruar përgjigjen nga ekspertiza Mjeko-Ligjore, ndonëse paraprakisht mësohet se në trupin e 32-vjeçarit nuk ka patur shenja dhune. Gjithashtu nga prokuroria do kërkohet një kartelë shëndetësore e të riut për të parë nëse humbja e jetës ka ardhur si pasojë e një komplikacioni për shkaqe natyrale.

Tv Klan

ORA 07:43 Ndërron jetë në rrethana misterioze 32-vjeçari që u shoqërua nga policia në Tiranë, AMP nis hetimet

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp./tvklan.al