“32-vjeçari erdhi pa shenja jetë në spital”

Mjekët e Spitalit të Traumës që pritën 32-vjeçarin Lear Kurti mbrëmjen e 20 Tetorit, i thanë prokurorisë së Tiranës se i riu ka mbërritur pa shenja jete, duke i qëndruar të njëjtit variant që më herët është dhënë zyrtarisht nga spitali.

Pavarësisht konstatimit se ishte i vdekur, mjekët deklaruan para hetuesve se ata kanë bërë përpjekje për ta risjellë në jetë, përpjekje që nuk patën rezultat. Më pas, ai është dërguar në morg për procedurën e autopsisë.

Si pjesë e veprimeve të kërkuara nga Prokuroria është edhe analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë që do të bëhet gjatë kësaj jave.

Objekt i verifikimit është bërë edhe vonesa e ambulancës. Referuar praktikës së sekuestruar në sallën operative ajo është kërkuar të pakën 3 herë. I riu Lear Kurti humbi jetën pak minuta pasi ishte shoqëruar në Komisariatin Nr. 3 me argumentin se ishte larguar me vrap patrullës se policisë.

Deri më tani hetuesit dyshojnë se ai ka gëlltitur një sasi lënde narkotike kokainë dhe ajo mund të jetë bërë shkak për vdekjen, megjithatë Prokuroria thotë se mbetet në pritje të shkakut të vdekjes që do dalë nga autopsia dhe ka nën hetim çështjen për veprime arbitrare dhe mosdhënie të ndihmës.

Tv Klan

/tvklan.al