“Janë marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zbuloi në një intervistë për Klan News një pjesë të listës së gjatë të aktiviteteve për finalen e Conference League më 25 Maj. Gjithkush mund të argëtohet edhe ata që nuk janë tifozë të Romës apo Feyenoord, të cilët do të kenë mundësinë të qëndrojnë në sheshin Skënderbej.

“Do të ketë disa aktivitete. Një është fan zona në sheshin Skënderbej, aty do të jetë edhe shfaqja e kupës. Do të jetë një mbrëmje gala në Teatrin e Operas. Kanë filluar edhe përgatitjet për fan zone e Feynoord te pedonalja dhe Roma te liqeni nga do të jetë edhe nisja drejt stadiumit”.

Kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve të Tiranës që atë ditë të lënë makinën në shtëpi për të ndihmuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve.

“Kushdo që do ta lejë makinën në shtëpi atë ditë që është edhe një ditë pushimi dhe nuk është se ka zyra të hapura dhe do të kontribuonte lëvizjet më lehtë të tifozerive dhe ekipeve”.

Veliaj u kërkoi kompanive që aktivitetin mund ta kryejnë edhe jashtë selive tyre të lenë punonjësit të punojnë nga shtëpia. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se do të ketë masa të veçanta për finalen e Conference League.  

“Do të kemi masa të të shtuara të policisë dhe kemi ndarë detyrat. Unë shpresoj që do të shkojë pa incidente. Jemi mësuar edhe me protesta të dhunshme, por për 15 minuta është pastruar. Por unë them ta shohim si një ditë feste”.

Finalja e Conference League është një nga ngjarjet më të rëndësishme të mbajtura ndonjëherë në vendin e tonë.

Tv Klan