“Krenar të kontribuoj për këtë qytet”

Komuna e Gostivarit e Maqedonisë së Veriut, nderoi me titullin “Qytetar Nderi” Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj . Titulli iu dorëzua nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“E pranoj me shumë përulësi titullin e “Qytetarit të Nderit të Gostivarit” sepse dua që, përveç gurit tim në Tiranë, të kontribuoj në ndërtimin e kësaj bote që po ndërtohet këtu, në Gostivar. Gostivari është vërtet një shembull model, jo vetëm si një nga bashkitë më të mirë-menaxhuara në këtë rajon, por gjithashtu si një hapësirë që na ka treguar se: Po, bashkëjetesa është e mundur. Është e mundur bashkëjetesa fetare, është e mundur bashkëjetesa etnike”, tha Veliaj.

“Kur mendon Tiranën, automatikisht të vjen ndërmend kryeqyteti më dinamik në Ballkan., për të cilin nuk ka shqiptar që nuk krenohet. Aq është i dhënë pas punës së tij, saqë nëse vendos të punojë jashtë trojeve zyrtare shqiptare e propozoj me gjithë vullnetin tim që të kandidojë si kryetar i komunës së Gostivarit”, u shpreh Taravari.

Veliaj u ndal tek puna e unionit të bashkive dhe komunave shqiptare në rajon.

“Në fillim menduam se do të paragjykohej dhe u paragjykua si një temë nacionaliste, por ndërkohë ne takohemi dhe flasim për korsitë e biçikletave, pastrimin e qyteteve tona, apo kush ka mbjellë më shumë pemë për banorë. Ne nuk jemi të gjithë e njëjta parti, nuk flasim të gjithë të njëjtën gjuhë, nuk jemi të gjithë e njëjta etni, nuk besojmë të gjithë të njëjtën fe, por ama ka një fije të padukshme që na lidh të gjithëve në jetët tona”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se fqinjësia e mirë ka rëndësi në bashkëpunimin mes dy qyteteve.

Tv Klan