Një grup vendesh të Bashkimit Evropian duan të shtyjnë Brukselin që të hartojë plane këtë javë për një kufi në mbarë bllokun për çmimin e gazit.

BE-ja propozoi një paketë masash emergjente për të trajtuar rritjen e çmimeve të energjisë në fillim të këtij muaji, por ka shmangur një kufi të çmimit të gazit, një ide që ka ndarë 27 vendet anëtare të bllokut.

Vendet pro planifikojnë të rrisin presionin ndaj Brukselit, me një letër që i kërkon Komisionit Evropian të bëjë propozime mbi një kufi të çmimit të gazit në një takim të ministrave të energjisë të BE që do të mbahet të premten, pasuar nga një propozim legjislativ sa më shpejt të jetë e mundur.

Zyrtarët e BE-së thanë se rreth 10 vende po shqyrtojnë nënshkrimin e letrës, me Belgjikën, Italinë, Poloninë, Maltën dhe Greqinë mes tyre. Drejtuar komisioneres së BE-së për energjinë Kadri Simson, draft letra kërkonte një kufizim çmimi për të gjitha transaksionet me shumicë të gazit. 

Drafti thoshte se kufizimi i çmimeve të gazit do t’i ndihmonte vendet të frenojnë “presionet e paqëndrueshme inflacioniste” që godasin familjet dhe bizneset dhe mund të projektohet në një mënyrë që garanton sigurinë e furnizimit.

Shtetet e tjera kundërshtojnë kufizimin e çmimeve të gazit, duke ngritur dyshime nëse ndonjë propozim i BE-së do të fitonte mbështetje të mjaftueshme. Gjermania, Holanda dhe Danimarka thonë se kufizimi i çmimeve mund të rrezikojë sigurinë e furnizimit duke dëmtuar aftësinë e BE-së për të tërhequr dërgesat e gazit këtë dimër.

Klan News