Dorëzon në prokurori dokumente për burimin 120 mijë Eurove

Shuma prej rreth 120 mijë Eurosh që Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havieri vodhën në shtëpinë e Alda Klosit janë të justifikuara. Është ky pretendimi Klosi ka mbajtur përpara hetuesve, të cilëve u ka vënë në dispozicion dokumente që sipas saj provojnë se origjina e parave është nga burime të ligjshme.

Dokumentacioni po verifikohet nga ana Prokurorisë së Tiranës, së bashku me deklarimet e dhëna prej saj.

Në momentet e para, ajo ka thënë në polici se i janë vjedhur vetëm sende me vlerë, ndërsa më vonë ka rrëfyer se në banesë ka pasur dhe para, konkretisht 120 mijë Euro dhe 30 mijë Dollarë.

Sipas Klosit, këto para i janë dhënë nga xhaxhai i saj, i cili ndodhet në Amerikë ku po kurohet nga një sëmundje e rëndë. Për këtë pretendim ajo ka paraqitur edhe disa dokumente.

Përpos këtyre verifikimeve, prokuroria vijon hetimet për 400 mije Eurot e tjera që u gjetën në shtëpinë e Rozeta Dobit. Pastruesja, sipas prokurorisë, ka deklaruar se të gjitha paratë e gjetura në shtëpinë e saj i ka marrë në shtëpinë e Alda Klosit, por Klosi ka mohuar që të ketë pasur 400 mijë Euro të tjera në shtëpi.

As personat e tjerë, në shtëpitë e të cilëve ka punuar Rozeta Dobi, nuk u kanë dalë për zot parave. Ata madje nuk bënë denoncim as për disa sende që policia i gjeti Dobit dhe djalit të saj, por policia zbuloi se ata e kishin punësuar Dobin nëpërmjet telefonit të pastrueses, me të cilën kishin telefonata e mesazhe të shumta.

Tv Klan