“Një apartament në pallatin pas krahëve të mi në rrugën e ‘Kosovarëve’ ra pre e vjedhjes nga 23-vjeçari, Havier Dobi dhe nëna e tij Rozeta Dobi. Kjo e fundit prej vitesh ishte punësuar për mirëmbajtjen e banesës së pronares së shtëpisë, së cilës i vodhën sende të çmueshme dhe shuma të konsiderueshme parash në vlerën e 120 mijë eurove”.

Nënë e bir e kishin inskenuar vjedhjen si një grabitje. Edhe pse ajo e dinte se ku i mbante paratë dhe sendet me vlerë, pronarja e shtëpisë që e kishte punësuar, ata kishin krijuar rrëmujë në banesë, për të fshehur gjurmët. 49-vjeçarja kishte bërë një kopje të çelësit të shtëpisë dhe kishin hyrë lehtësisht në shtëpi.

Burime të policisë thanë se që në fillim ata kishin qenë të dyshuarit kryesorë. Për këtë arsye, ata janë mbajtur nën vëzhgim për 3 javë me radhë, si pjesë e një operacioni të koduar me emrin “Inside”.

Pas arrestimit të tyre, policia u gjeti 58,150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë, disa sende prej floriri, rrobat e përdorura për vjedhjen dhe këto 3 automjete, 2 nga të cilat dyshohet se u blenë me paratë e vjedhura.

Burime të policisë saktësuan se pronarja e shtëpisë, që jetonte vetëm me vajzën e saj, kishte deklaruar se të ardhurat i kishte krijuar nga puna në emigracion prej disa vitesh.

Tv Klan