Bashkëpunëtori i drejtësisë, Henrik Hoxhaj dha këtë të të martë dëshminë e tij për dy vrasje të ndodhura në Mars dhe në Prill të 2020. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, i pranishëm edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani.

Sipas asaj që raporton gazetarja Glidona Daci, që përcjell edhe dëshminë e Hoxhajt, ai rrëfeu dinamikën e vrasjes së vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia, më 27 Prill 2020 në Durrës. Hoxhaj mësohet të jetë shprehur se objektiv i këtij atentati ishte Besmiri, por duke qenë se ndodheshin të dy në një makinë, i ekzekutuan të dy.

Si i takon vrasjes tjetër të dyfishtë, atë të Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë, më 2 Mars 2020, Hoxhaj mësohet të jetë shprehur se Nuredin Dumani i kishte premtuar 60 mijë euro, por kishte marrë vetëm 35 mijë, pasi pjesën tjetër e mori Elio Bitri, për shkak se ekzekutimin e kreu bashkë me këtë të fundit.

Objektiv në këtë rast mësohet se ishte Dorian Shkoza, por Anxhelo doli para për të mbrojtur shokun e tij.

“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Qolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s’kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne, por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armë, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar në për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, mësohet të jetë shprehur mes të tjerash në gjykatë Hoxhaj.

Gazetarja Daci thekson se deklarimet mes Klevis Allës i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, kanë përplasje dhe kontradikta midis tyre sa i takon 2 ngjarjeve kriminale, për personat që kanë marrë pjesë, por edhe mënyra e ekzekutimit të tyre.

Seanca e sotme ndaj 4 të pandehurve Altin Ndocit, Klevis Allës, Besian Xhixhës e Enver Divës u shty. Shkak u bë kërkesa e avokatëve të Divës dhe Xhixhës. Ata kërkuan kohë sepse duan që të krahasojnë dëshminë e Henrik Hoxhajt të dhënë ditën e sotme përballë gjykatës me atë që ka dhënë në prokurori./tvklan.al