Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Krisma dhe terror mbrëm në Vlorë. Qyteti jugor i revoltave të ’97 ka përjetuar mbrëm dhe një herë tjetër, një situatë të ngjashme me ato ditë. Vrasja e katër qytetarëve vlonjat ndërmjet të cilëve dhe vëllai i Zani Caushit, 36-vjeçari Lefter Caushi, ka acaruar së tepërmi situatën në Vlorë, duke boshatisur përnjëherë rrugët e qytetit dhe duke e detyruar policinë të vihet në gadishmërinë numër një.

Varrimi i Lefter Caushit, vëllait më të madh të Zanit si dhe 60-vjeçarit Veliko Myftari mik shtëpie e Caushajve është shoqëruar nga krisma të shumta armësh. Sipas policisë krismat e armëve vinin pikërisht nga lagjja Çole, aty ku banonte Zani me vëllezrit e tij. Në varrimin e Lefter Caushit sipas banorëve vlonjat ka marrë pjesë vetëm rrethi i ngushtë i familjarëve dhe miq të viktimës.

Po sipas burimeve tona vetë Zani nuk ka marrë pjesë në funeralin e vëllait. Po është mëse e sigurt që Zani Caushi ndodhet në shtëpinë e tij në Çole. Trupat e pajetë të Lefter Caushit, vëllait të Zanit dhe dy shokëve të tij të tjerë janë gjetur jashtë furgonit pronë e Lefterit, ndërsa viktima tjetër Valiko Myftari është gjendur brenda tij.

Dy viktimat e tjera vazhdojnë të qëndrojnë në morg të paidentifikuar për shkak të plagëve të mëdha. Zani Caushi ndërkohë i izoluar në shtëpinë e tij në Çole nuk ka bërë të njohur se çdo të bëjë në të ardhmen./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj