Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka zhvilluar këtë të mërkurë, 30 shtator, takimin e parë me kryeministrin Edi Rama pas fillimit zyrtar të misionit të tij diplomatik në vend.

Takimi vjen pak ditë pasi Wendt dorëzoi letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, më 26 shtator, duke marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit amerikan në Tiranë.

Kryeministri Rama ka publikuar një fotografi nga takimi në rrjetet sociale, të cilën e ka shoqëruar me mesazhin: Mirë se erdhe!

Eric Wendt, bëhet ambasadori i 11-të i SHBA-ve në Shqipëri që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1991.

Wendt vjen në këtë post pas Yuri Kim. Ndërkohë, që prej vitit 2023, drejtimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë është mbajtur nga Nancy VanHorn në cilësinë e të ngarkuarës me punë.

Wendt u konfirmua zyrtarisht në këtë detyrë më 8 gusht, pasi Senati Amerikan miratoi emërimin e tij. Pas konfirmimit nga Senati, emërimi u formalizua përfundimisht me nënshkrimin e Presidentit Donald Trump.

/tvklan.al