Pronare e 5 shtëpive dhe 2 tokave

Ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi e cila ra pre e vjedhjes nga pastruesja e saj Rozeta Dobi dhe i biri, Havieri, ndonëse jetonte me qira, rezulton të ketë në pronësi dhe bashkëpronësi 3 apartamente e 2 toka në Tiranë, si dhe dy shtëpi te tjera në Shëngjin.  

Tv Klan ka siguruar deklartat e pasurisë që Klosi ka bërë pranë Inspektoriatit të Lartë të deklarimit dhe kontrollit të pasurisë që prej vitit 2016, kohë kur ajo mbante postin e drejtoreshës pranë Ministrisë së Financave.

Në deklaratën e pasurisë të këtij viti ish-zyrtarja deklaron vetëm një banesë me sipërfaqe 47 m2 të blerë 2.5 milionë Lekë. Në këtë aparatament Alda Klosi është bashkëpronare me burrin e saj. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka shitur një pronë në sipërfaqe 110 metra, me çmim 10 milionë e 450 mijë, para këto që kanë shkuar më pas për apartamentin 47 m2. Në pasurinë e saj atë vit rezulton dhe një automjet Toyota Yaris i vlerësuar 180 mijë Lekë, si dhe 2 llogari bankare. Një pjesë e pagës në të cilën ka pasur gjendje rreth 184 mijë Lekë, si dhe një kursimi me 25 mijë Lekë.

Po në 2016, ish-zyrtarja deklaron se paga vjetore e saj është 892 mijë Lekë, si dhe 272 mijë Lekë janë të ardhura në vit nga angazhimet, veprimtaritë private apo shtetërore.

Në 2017, Alda Klosi, ndonëse mbante të njëjtën detyrë, deklaron blerjen e një apartamenti në Tiranë prej 72 metrash katrorë me vlerë rreth 32 mijë Euro,  financuar pjesërisht nga një kredi prej 2 milion Lekësh, 950 mjië lekë të tjera i kanë marrë borxh dhe nga një garanci financiare të një prone me qira.

Në vitet 2018, 2019 dhe 2020 ajo deklaron ndryshime fare të vogla të pasurisë, ku bie në sy shitja e një makine dhe blerja e një tjetre.

Ndryshimi i madh ndodh në 2021 kur Alda Klosi bëhet e pronare e dy apartamenteve banimi në Lezhe, me vlerë totale gati 8 milionë Lekë. Po në këtë vit, ish-zyrtarja shlyen kredinë e marrë në 2017 për blerjen e apartamentit në Tiranë, dhe bëhet pronare me të drejta të plota.

Ndërsa në 2022 ajo deklaron se ka përfituar tre pasuri si trashëgimi ligjore nga familja.

Në të gjitha deklarimet e saj prej kohës që u bë pjesë e institucioneve shtetërore, ajo ka deklaruar çdo pronë por në asnjë prej tyre nuk përmendet vlera 120 mijë Eurosh që iu vodh në banesë. Sipas ish-zyrtares, kjo vlerë e majme i është dhënë nga xhaxhai i saj që ndodhet në Amerikë pasi po kurohet nga kanceri.

Tv Klan