Trajneri italian firmosi një kontrate 18 mujore, me opsionin për të rinovuar edhe një tjetër vit

Totenhemi ka zyrtarizuar Antonio Conte si trajnerin e ri të ekipit. Italiani 52-vjeçar ka firmosur një kontratë 18 mujore, me opsionin për të rinovuar edhe për një tjetër vit. Akordi u finalizua pas bisedimeve mes të dyja palëve në Londër ditën e hënë, ku Conte kishte udhëtuar për t’u takuar me drejtuesit e klubit anglez.

Konte do të përfitojë 15 milionë paund në sezon, ndërkohë që sipas tabloidit anglez “The Sun”, ai do të ketë në dispozicion një shumë prej 150 milionë paundësh për të bërë përforcimet e nevojshme.

“Jam shumë i lumtur që po rikthehen të trajnoj dhe të jem pjesë e një klubi të Premier Ligës, që ka ambicien të bëhet protagonist sërish. Mezi sa po pres që t’i përçoj skuadrës dhe fansave pasionin, mentalitetin dhe vendosmërinë, që gjithnjë më ka dalluar mua, si lojtar dhe si trajner. Verën e shkuar bashkëpunimi nuk u finalizua sepse emocionalisht isha shumë i përfshirë me fundin e sezonit të Interit.Por entuziazmi ngjitës dhe vendosmëria e Daniel Levit që më besoi këtë detyrë, ka lënë shenjë. Tani që mundësia m’u dha sërish, zgjodha ta marr me bindje të plotë”.

Në sezonin 2016-2017, Conte udhëhoqi Çelsin drejt fitimit të Premier Ligës dhe sezonin pasardhës të FA Cup, ndërkohë që në vitin e shkuar futbollistik, ai fitoi Serinë A me Interin.  

Klan News