Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 3 të dënuarve nga Dibra. Mësohet se bëhet fjalë për 3 persona, dy prej të cilëve të dënuar në Francë dhe një në Itali për trafik narkotikësh.

Ata janë:

Eriol (Moll) Çela, banues në Dibër, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

Tedi Vojka, banues në Dibër, i dënuar në Francë për veprën penale “Trafikimi i  narkotikëve”;

Albi Murja, banues në Dibër, i dënuar  në Francë  për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

“OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”, thuhet në njoftimin e policisë./tvklan.al