U ekstradua për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar hetimin dhe masat e sigurisë që Prokuroria ka kërkuar për Indrit Taullain, një nga të dyshuarit për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames në Shkurt të 2005-s. Taullau u la në burg siç kishte kërkuar Prokuroria,  pas ekstradimit nga Kosova.

46-vjeçari akuzohet për vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal dhe disa vepra të tjera të rënda penale. Hetimet e Prokurorisë për zbardhjen e vrasjeve që ndodhën 15 vite më parë, nisën pas dëshmisë së Luftar Reçit.

Në dëshminë e tij, Reçi tregoi se Taullai ishte personi që ndoqi me makinë dhe qëlloi për vdekje Klodian Saliun mbrëmjen e 27 Shkurtit të 2005 në autostradën Tiranë-Durrës. Një ditë më pas, sipas të njëjtës dëshmi, thuhet se ishte Taullai që siguroi lëndën eksplozive për ekzekutimin e Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi në ashensorin e një pallati.

Për të dyja këto ngjarje akuzohen edhe Emiljano Shullazi, Luftar Reçi, Indrit Rusi dhe Viktor Ymeri. Ndërkohë në Emiratet Arabe është arrestuar Plaurent Dervishaj që pritet të ekstradohet në vendin tonë, ndërsa i vetmi person që nuk është arrestuar ende është Lulzim Berisha.

Tv Klan