Revista prestigjioze spanjolle e udhëtimeve “Condé Nast Traveler” i ka kushtuar një shkrim plazheve më të bukura të Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në revistën spanjolle duke e cilësuar si një vlerësim që i bëhet Shqipërisë.

“10 plazhet më të bukura shqiptare sipas revistës prestigjioze të udhëtimeve “Condé Nast Traveler”, një super promovim i bregdetit tonë në edicionin spanjoll të saj, ndërsa rreth 38 mijë vizitorë kemi pritur nga Spanja në 6 muajt e parë të vitit, një treg tashmë jo më surprizë, por i konsoliduar”, shkruan ministrja Kumbaro.

Në shkrimin e botuar revista spanjolle shkruan ndër të tjera se “ndërsa veriu i vendit shquhet për malet, pjesa më jugore e tij ju fton të dorëzoheni në plazhet parajsore ku dielli, çadrat dhe Mesdheu gjenerojnë sinergji unike. Ajo që është e sigurt është se plazhet e Shqipërisë janë një pushim veror që nuk do ta harroni kurrë”.

Revista spanjolle ka renditur plazhet më të bukura të vendit si; Ujin e Ftohtë në Vlorë, Llamanin në Himarë, Bunecin, Dhërmiun, Borshin, Qeparonë, Gjipe, Gjirin e Gramës dhe Durrësin.

Shqipëria edhe këtë vit vijon të promovohet nga mediat ndërkombëtare, ndërkohë që në 6 muajt e parë të këtij viti u vizitua nga 4.5 milionë turistë të huaj.

Klan News